Një ditë para ndeshjes së 15-të kampionale FC Prishtina – FC Drita, bardh e kaltërtit gjilanas, mbajtën konferencë për media me kryetrajnerin, Akis Vavalis dhe gardianin, Florjan Smakiqi.
“Nesër pas pushimit të kombëtareve na pret një ndeshje shumë e vështirë. I kishim dy javë punë në shumë aspekte gjithashtu edhe për futbollistët. Kishim mundësi dhe shanse në këto ndeshje që kaluan. Ne kemi punuar gjatë javës dhe për shkak të kushteve të motit mund të jenë vështirësi dhe nesër për shkak të fushës me bari natyral nuk dihet si do të jetë fusha. Ne duhet të luftojmë në çdo ndeshje, duhet të fitojmë këtë ndeshje dhe të shkojmë përpara. Unë besoj shumë te djemtë sepse kryesisht ofrojnë performancë shumë të mirë në ndeshjet derbi. Shpresoj në ndeshjet e fundit do të arrijmë rezultate pozitive më saktësisht ditën e nesërme”, ka thënë Vavalis.
Se, fitorja është synimi i vetëm në ndeshjen e nesërme thotë edhe portieri ynë, Florijan Smakiqi.
“Nesër na pret një ndeshje e vështirë, jemi përgatitur mjaft mirë besoj që do të shënojmë fitore. E imja dhe e bashkëlojtarëve është vetëm të japim më të mirën nga vetja”, ka thënë Smakiqi
Përndryshe, trajneri Vavalis potencoi se vazhdojnë të jenë të fokusuar deri në fund.
“Secili mund të bëhet kampion secili mund të dal në Evropë. Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë në punojmë si në aspektin ofensivë dhe defensivë”, ka thënë Vavalis.
Ai më tej theksoi se për nesër do të ketë mungesa, si Ardit Tahiri dhe Hajdin Salihu, të lënduar.
Ndeshja e kësaj xhiroje FC Prishtina – FC Drita do të zhvillohet nesër në stadiumin e Hajvalisë në ora 13:00. /2LONLINE/