(2L ONLINE) – Punëtorët e Kompanisë Rajonale për ujë KRU “Hidrimorava”, të hënën kanë ndërprerë grevën, e filluar gati një javë më parë, pasi kanë arritur marrëveshje, përkatësisht janë pranuar kërkesat e tyre, nga Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i kësaj Kompanie.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Informativ 2L ONLINE, edhe Kadri Reçani, kryetar i Shoqatës Sindikale të KRU Hidromorava, i cili ka thënë se sot e kanë ndërprerë grevën pasi Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti do ta realizojnë marrëveshjen përkatëse.
Në fakt, greva e tyre kishte nisur edhe më herët, përgjatë qershorit, ku edhe ishte arritur një marrëveshje për ngritje pagash, mes Këshillit Grevistë dhe Bordit të Drejtorëve të Kompanisë në fjalë, por mos zbatimi i asaj marrëveshje, kishte shtyrë Sindikatën që sërish të organizojë grevë, edhe atë kishin hyrë në grevë punëtorët e Hidromoravës në të tri njësit, në Gjilan, Viti e Kamenicë.
Rikujtojmë se punëtorët e Hidromoravës kishin hyrë në grevë duke kërkuar rritje pagash, ata pjesërisht e kishin realizuar qëllimin e tyre ndërsa marrëveshja në fjalë kishte për qëllim rritjen lineare të pagave edhe për 50 euro të tjera, nëse përmbushej synimi i performancës së mirë në tre muajt përkatës, që sipas grevistëve edhe ishte bërë një gjë e tillë me sukses, andaj kërkohej përmbushja e marrëveshjes.
E, Reçani rikujtoi se pikërisht mospërmbushja e kësaj marrëveshje, deri më sot, ishte shkaku i hyrjes së sërishme në grevë, e cila sot u ndërpre, pasi Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i kësaj Kompanie, vendosi të përmbushë marrëveshjen në fjalë. /2L ONLINE/