(2L ONLINE)- KF Drita ka mbyllur me mjaft sukses sezonin vjeshtor duke triumfuar në ndeshjen e fundit të saj ndaj Drenicës me shifra bindëse, 4:0. Fitore me shumë vlera që ngrit gjilanasit në tabelën e klasifikimit dhe jep sinjal të qartë për një Dritë më të ‘’shndritshme’’ për edicionin pranveror.
Drita ka regjistruar fitoren e katërt këtë cikël garash por nga rëndësia mund të jetë më e madhja. Tri pikë të shpresës për gjilanasit vijnë nga nj festival golash që e nisi Shqipërim Kelmendi, u vazhdua nga Florim Berisha e Almendin Murati, ndërsa u përfundua nga Tualant Haliti për ti dhënë Dritës ‘’dritë’’ në fundin e sezonit vjeshtor.
Ideatori i këtyre fitoreve emergjente, trajneri Afrim Shahini u shpreh mjaft i kënaqur me futbollistët e tij dhe theksoi se Drita me disa përforcime në pranverë mund të siguroj pa ndonjë problem mbetjen në elitë.
‘’Sa i përket ndeshjes së sotme mund të them se kemi fituar me plotë meritë. Dominimin në fushë e kurorëzuam me katër gola, mirëpo ajo që ishte më me rëndësi ishin pikët pasi për ne janë të domosdoshme në këtë fazë. Ndërkohë besoj që me dy tri përforcime cilësore në pranverë ne mund të sigurojmë mbijetesën pa ndonjë problem të madh’’,
I pyetur nga Portali ‘’2L ONLINE’’, lidhur me vazhdimin e punës si trajner në klubin bardh e kaltër, Shahini u shpreh:
‘’ Unë si trajner kam arritur ti përmbush objektivat që kam pasur këto pesë xhiro të stabilizoj skuadrën dhe të grumbulloj sa më shumë pikë për ti ikur zonës së ftohtë dhe kjo meritë padyshim se u takon lojtarëve. Unë do të jem aty ku Drita ka nevojë’’.
Festival golash
Minutat e parë të ndeshjes kalojnë në qetësi, deri sa dy skuadrat testojnë njëra tjetrën. Drita ka dominimin në fushë por duhet të presë minutën e 28, për ta gjetur golin. Një harkim i Durim Baxhukus përfundon deri te Blendim Gashi që shkurtazi ia kthen topin Shqipërim Kelmendit që me një gjuajtje të saktë ia del ta qojë topin drejt portës.
Ende pa u rehatuar mirë tifozët në shkallët e stadiumit, detyrohen të ngritën edhe njëherë në këmbë, përsëri për ta festuar golin e radhës. Një kundërzbritje e shpejtë e nisur nga Hasip Ajdari përfundon në këmbët e Florim Berishës i cili i gjendur i vetëm me gardianin Ymeri nuk fal dhe dërgon topin te veni për ta dyfishuar epërsinë e vendasve.
Kjo ishte sa i përket 45 mintuave të parë të lojës, ndërkohë me të filluar pjesa e dytë vendasit shënojnë sërish. Sulmuesi Almedin Murati tregohet gjakftohtë pranë zonës duke përfituar nga një devijim jo i mirë i mbrojtjes vendase për ta përplasur topin për rrjetën e Ymerin për të tretën herë më radhë.
Festivalin e golave e vazhdon qendërmbrojtësi Taulant Haliti, i cili pas harkimit të Kelmendit nga fundorja shkëputet më së miri me kokë për ta vulosur topin në portë edhe njëherë tjetër.
Vendasit vargojnë rastet të një pasnjëshme dhe kërkojnë ta gjejnë golin e ‘’manitas’’, por përkundër shumë rasteve të krijuara deri në fundin e ndeshjes nuk ia dolën të konkretizonin dhe u deshtë të kënaqen vetëm me kaq. Kështu Drita mbyll gjysmën e edicionit vjeshtor në mënyrën më të mirë duke iu larguar fundit të tabelës për tri pozita dhe tani ndodhet në pozitën e nëntë me 17 pikë të grumbulluara, ndërkohë Drenica mbetet në pozitën e shtatë me 21 sosh.
‘’Luajtëm dobët. Merituam të humbim edhe më thellë’’, ishin fjalët e vetme të trajnerit të Drenicës, Tahir Lushtaku pas përfundimit të ndeshjes.
Drita – Drenica 4:0
Stadiumi i Qytetit në Gjilan
Shikues: 300
Gjyqtarë: B.Kosumi, E.Baliqi, M.Berisha, A.Tahiri
KV: Haliti – Gruda, Sh.Lushtaku
Shënues: Kelmendi 28’, Berisha 30’, Murati 53’, Haliti 67’
Drita: Huruglica, Baxhuku (Shaqiri), Haliti, Syla, Tusuni, Berisha (Kastrati), Ajdari, Limani, Kelmendi (Sejdiu), Gashi, Murati. Trajner: Afrim Shahini
Drenica: Ymeri, Ibrahimi, Caka, Gruda (Selimi), Syla, Prekopuca (Mehmeti), Dajaku (Sh.Lushtaku), Maxhuni, K.Lushtaku, Dushi, Foniqi. Trajner: Tahir Lushtaku.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/