Kanë filluar punimet në rregullimin dhe shtruarjen me zhavorr të rrugës Gjylekar- Stubëll e Poshtme. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Naim Pira kanë ndjekur për së afërmi punimet që kanë filluar.
Aty ata edhe u pritën nga banorët e dy lokaliteteve të cilët e falënderuan Kryetarin Haliti për rregullimin e kësaj rruge. Disa banorë nga fshati Stubëll e Poshtme potencuan se me këtë projekt banorëve të shpërngulur të këtij fshati po ju mundësohet qasja në pronat e tyre si dhe gradualisht do të kthehet jeta në këtë fshat.
Përndryshe Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti shtoi se kjo komunë po i shikon të gjitha mundësitë buxhetore që kjo rrugë në të ardhmen të asfaltohet pasi që tha se gjatë luftës ajo ka luajtur një rëndësi të madhe.