Hapet një korridor i rëndësishëm që lidhë Vitinë me Kllokotin dhe Gjilanin
Sot, kanë filluar punimet për asfaltimin e rrugës Gjylekar-Mogillë, rrugë kjo e cila do të lidhë Komunën e Vitisë me Komunat Kllokot dhe Gjilan. Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka qenë i pranishëm në fillimin e këtyre punimeve, ku edhe u mirëpritë nga banorët e fshatrave, Mogillë e Gjylekar.
Kreu i Komunës, para fillimit të asfaltimit të kësaj rruge u shpreh se ky projekt ka një rëndësi të veçantë, pasi po hapet një korridor shumë i nevojshëm për qytetarët.
“Sot po përfundojmë punimet në asfaltimin e kësaj rruge, punimet e së cilës kanë filluar para një viti me përgatitjen e bazës së rrugës. Kjo është një rrugë historike dhe një korridor shumë i nevojshëm që lidhë Vitinë me Zhegrën e Gjilanit, dhe atë, përmes rrugës së re që është hapur dhe asfaltuar në fshatin Nasalë. Me këtë rrugë po lidhim edhe segmentet e tjera rrugore që janë asfaltuar ndër vite, në Viti”, është shprehur kryetari Haliti.
Ai ka thënë se kjo rrugë ka qenë e nevojshme për këto vendbanime, si për lëvizjen e qytetarëve, ashtu edhe për bujqësinë, duke potencuar se më të, do të bëhet edhe lidhja me magjistralen e rrugës së Letnicës, Gjylekarit që lidhët me Gjilan, por edhe të vendbanimeve të tjera si me Stubllën e Poshtme, pasi që, sipas tij, në vitin në vijim do të vazhdojnë punimet në asfaltimin e rrugës Gjylekar-Stubëll e Poshtme.
Kryetari Haliti ka thënë se në kuadër të punëve në infrastrukturën rrugore në këtë pjesë janë rregulluar traseja rrugore, ura, traseja e rrugës që lidhët me fshatin Mogilë dhe të Gjylekarit që lidhët me Verbovcin, Budrikën si dhe shumë të tjera.
Ai ka folur edhe për projektet të tjera që do të realizohen në këtë fshat duke shtuar se Gjylekari dhe Mogilla kanë njerëz të zot, në veçanti në sektorin e bujqësisë, por që edhe tokat e tyre, kanë një cilësi të lartë.