Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës, Hekuran Murati dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë Delina Ibrahimaj, të shoqëruar nga Drejtorët e Doganave të të dyja shteteve, kanë vizituar sot zyret e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.
Vizita është bërë me rastin e fillimit të zhdoganimit të plotë në portet e Durrësit për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës. Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.
Me këtë rast, Ministri Murati u shpreh se “me modalitetet e tanishme të funksionimit të zhdoganimit në portet e Durrësit, do t’i ulim kostot për bizneset dhe konsumatorët në rreth 2 milionë euro, kurse përmirësimi i kohës së zhdoganimit do të reflektohet në krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja në vend.”
Ministrja Ibrahimaj, në anën e saj, tha se zhdoganimi i mallrave me destinim Kosovën në portin e Durrësit është vetëm hapi i radhës në marrëdhëniet tona tregtare, duke theksuar edhe njëherë angazhimin e Qeverisë Shqiptare në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durresit që nga viti 2019, mirëpo deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinim Republikën e Kosovës, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.
Në mbledhjen e fundit në mes të dy Qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive. /2LONLINE/