Me grumbullimin e talenteve nga Regjioni i Gjilanit që u zhvillua në Pozheran është përmbyllur faza e parë e projektit “Elite Youth Development Programme U15”, që po organizohet për herë të parë në një format shumë më masiv nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Në grumbullimin kanë marrë pjesë 40 talente nga rajoni i Anomoravës, të cilët përgjatë 2 orëve kanë luajtur në dy fusha të ndarë në disa ekipe, duke iu dhënë kësisoj hapësirë dhe mundësi e barabartë secilit futbollistë për të treguar cilësitë e tij para stafit të trajnerëve vlerësues të këtij projekti.
Edhe në këtë grumbullim janë vërejtur talente të jashtëzakonshme, të cilëve u nevojitet punë e vazhdueshme në mënyrë që në të ardhmen të arrijnë nivelet e larta.
Përgjegjësi i projektit, Edmond Rugova në fund të grumbullimit ka falënderuar të gjithë futbollistët për përkushtimin e treguar dhe kulturën e lartë sportive në fushë, derisa ka theksuar se menjëherë do të fillojë faza e dytë e projektit dhe këto talente do të ndiqen në vazhdimësi gjatë tërë vitit, jo vetëm në grumbullime të tilla një ditore, por edhe në kampe treditore dhe natyrisht edhe në ndeshjet kampionale të grupmoshave.
Ndërkohë, përzgjedhësi i Kombëtares U15, Gazmend Haliti, i cili është pjesë e trajnerëve vlerësues në këtë projekt është shprehur i kënaqur me ecurinë e deritashme.
“Deri më tash në të gjitha regjionet kemi parë që ka shumë talente dhe kjo mënyrë e seleksionimit është shumë e mirë, ngase edhe ne si trajnerë e kemi një pasqyrë më reale për këta futbollistë. Gjithsesi, këtyre futbollistëve u nevojitet një punë më e madhe në klubet e tyre në mënyrë që ta mbërrijnë nivelin e lojtarëve të cilët janë pjesë e Kombëtares. Ky projekt do të vazhdojë gjatë tërë vitit, derisa ne si staf i Kombëtares do të kemi seleksionime të grupmoshës U15 edhe në shumë vende të Evropës, prandaj është me rëndësi që këta futbollistë të punojnë shumë në klubet e tyre pasi duhet të jenë të vetëdijshëm se janë në një konkurrencë shumë të fortë me bashkëmoshatarët e tyre që luajnë në Evropë. Sidoqoftë, ne gjithmonë u kemi dhënë hapësirë edhe futbollistëve vendor dhe sigurisht se edhe në të ardhmen më të mirët do të jenë pjesë e Kombëtares”, ka thënë Haliti.
Vlerësim pozitiv për rrjedhën e deritashme të projektit ka dhënë edhe ish-futbollisti i njohur i Besës, Ilir Nallbani, i cili tash është përzgjedhës i grupmoshës U15 për regjionin e Pejës.