(2L ONLINE) – Familja tre anëtarëshe e Safete Mustafës pas afro 1 muaji, do të jetoj në kushte të dinjitetshme pasi sot ka nisur ndërtimi i shtëpisë së saj, investitor i së cilës është donatori Flamur Sabri Bunjaku.
Flamur Sabri Bunjaku ka shprehur gatishmërinë për të ndërtuar një shtëpi për skamnorët në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne shumë për ata”, e cila është realizuar me iniciativën e kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në tetor të vitit të kaluar.
Donatori Bunjaku ka thënë se së bashku me Komisionin komunal në krye me Hazir Mustafën, e kanë përzgjedhur familjen zonjës Safete për t’ia ndërtuar shtëpinë, pasi kjo e fundit deri më tani ka jetuar në kushte çnjerëzore. Ai bëri të ditur se në fund të muajit mars kjo shtëpi do të jetë e përfunduar.
Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar donatorin Flamur Sabri Bunjaku për gatishmërinë për ta nxjerrë nga gjendja e rëndë e banimit familjen Mustafa, duke potencuar se në javët në vazhdim do të nisin së ndërtuari edhe shtëpi të tjera për familjet në nevojë.
Pas mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, Komuna në bashkëpunim me donatorët po e implementon këtë projekt me të gjitha mundësitë, derisa Zijadin Marovca i cili ka tetë fëmijë, është i pari që ka hyrë në shtëpi të re pikërisht në 7 vjetorin e Pavarësisë, e cila është ndërtuar nga donatori Ruzhdi Bunjaku. Poashtu, janë duke u ndërtuar edhe 3 shtëpi të tjera, derisa afro 20 janë duke u meremetuar sipas kërkesave të qytetarëve.
Kujdesi maksimal për familjet me probleme sociale ka qenë premtim i kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri në fushatën zgjedhore të vitit 2013, i cili tashmë po ndodhë. /2L ONLINE/