Bazuar në planin e veprimit për vitin 2018 të Drejtorisë për Politika dhe Plane, përkatësisht Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak dhe Departamentit të Mjekësisë në MFSK, në koordinim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës (QKTGJK), sot në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës filloi aksioni humanitar për dhurimin e gjakut. Këtij aksioni iu përgjigjen një numër i madh i pjesëtarëve të FSK-së dhe stafit civil të Ministrisë për FSK-në.
FSK-ja tashmë ka një traditë të organizimit të aksioneve humanitare për dhurimin vullnetar të gjakut, me moton ,,një pikë gjak për shpëtimin e një jete”.
Ndër të parët që iu përgjigjen këtij aksioni humanitar ishte zëvendësministri i MFSK-së, z. Burim Ramadani dhe shumë oficerë të lartë dhe stafit civil të Ministrisë.
Zëvendësministri Ramadani me këtë rast tha:,, FSK-ja gjithmonë i përgjigjet jo vetëm aksioneve të organizuara për dhurimin e gjakut, por edhe sa herë paraqitet nevoja dhe bëhen thirrje individuale për ndihmë përfshirë edhe dhurimin e gjakut”.
Ndërsa, dr. Bukurije Zhupi nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut të Kosovës, tha:,, Pjesëtarët e FSK-së janë bërë një shembull i mirë për të ndihmuar qytetarët e Kosovës dhe për ngritjen e vetëdijes te qytetarët që t’i përgjigjen aksionit humanitar për dhurimin e gjakut dhe aksioneve të ngjashme humanitare”.
Aksioni humanitar për dhurimin e gjakut në kuadër të FSK-së realizohet në dy faza brenda vitit. Vlen të theksohet se që në ditën e parë, këtij aksioni i janë përgjigjur 50 pjesëtarë të MFSK-së.
Aksioni do të vazhdojë nesër në kazermën ,,Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore dhe do të zgjasë deri më 22 shkurt 2018, në të gjitha njësitet dhe kazermat e FSK-së.