Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ka filluar mbajtja e Forumit të Sigurisë me temën “Rekrutimi dhe mbajtja e kapitalit njerëzor në FSK, sfidat dhe alternativat”, e organizuar nga Qendra për Studime Universitare-Akademia e Mbrojtjes e FSK-së.
Në hapjen e këtij Forumi morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, komandanti i Qendrës për Studime Universitare, major Albian Ajvazi, profesor i RIT, James Myers si dhe zyrtarë dhe oficerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, zëvendësministri Syla tema e trajtuar në këtë Forum është e një rëndësisë së madhe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në pasi që burimet njerëzore janë shtylla qendrore, janë pasuria më e çmuar e shoqërisë dhe janë faktor esencial për ndërtimin e një ushtrie.
Prandaj, siç theksoi zëvendësministri Syla, çdoherë dhe në secilën kohë, krahas zhvillimeve të kapaciteteve tona si FSK, fokusi jonë kryesor është dhe mbetet – secili ushtarak i FSK-së.
Më këtë rast, zëvendësministri Syla përgëzoi QSU-në për këtë aktivitet dhe theksoi se nga ky Forum do të dalin edhe rekomandimet për të cilat u zotua se Ministria e Mbrojtjes do t’i shqyrtojë në kuadër të politikave për përmirësimin dhe avancimin e sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe mirëqenies së përgjithshme të ushtarakëve të FSK-së.
Ndërsa zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi tha se Qendra për Studime Universitare është një prej storieve më të suksesshme të FSK-së dhe se oficerët e diplomuar në këtë Akademi japin një kontribut të jashtëzakonshëm në FSK dhe Ministri të Mbrojtjes dhe përfaqësojnë me dinjitet të lartë vendin dhe ushtrinë tonë kudo që paraqiten jashtë vendit.
Lidhur me temën e Forumit, prezantim të veçantë nga perspektiva akademike, para të pranishmëve, bëri edhe profesor i RIT, James Myers.
Forumi do të zgjasë dy ditë, në sesione të ndara ku do të prezantojnë me kumtesat dhe vështrimet e tyre panelet profesionale dhe akademike të Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së, RIT Kosova, QKSS-së etj. /2LONLINE/