/2L ONLINE/ – Banorët e fshatit Stubëll të epërme të komunës së Vitisë, për vite me radhë janë përballur me vështirësi sa i përket qarkullimit, për shkak të rrugës së dëmtuar të fshatit. Ajo ishte ndërtuar qysh në vitet e 80-ta me vetë kontributin e banorëve, por kohët e fundit ishte dëmtuar tej mase, që ka hyrë në listën prioritare të komunës për asfaltim.
Projekti i kësaj rruge që është donacion i Ministrisë së Infrastrukturës në bashkëfinancim me komunën e Vitisë, ka filluar së realizuari sot me një solemnitet rasti. Kryetari i komunës Sokol Haliti, duke uruar stubllasit për këtë projekt të ri, ka theksuar se ndjehet i kënaqur që po fillon edhe një projekt në Stubëll, që do ti paraprijë edhe shumë projekteve të tjera, sepse çdo kërkesë e banorëve, është prioritet për Qeverinë komunale.
“Asfaltimi I kësaj rruge, ka qenë domosdoshmëri , ngase pos që ishte dëmtuar, ky vend meriton të ketë një infrastrukturë të kompletuar, për faktin se ka dhënë një kontribut të çmuar në çështjet madhore të vendit. Po ashtu, ky projekt po nis në një muaj shumë të rëndësishëm dhe historik për kombin shqiptar, në muajin e shenjtërimit të Nënës Terezë, e cila u pagëzua në këtë vend”, tha Haliti.
Ai ka shtuar më tej se në Grykën e Letnicës nuk do të mungojnë investimet dhe projektet e reja dhe ka falënderuar Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetje të projekteve në komunën e Vitisë. Edhe Marjan Ramaj kryetar I këshillit të fshatit Stubëll, është shprehur falënderues ndaj Institucioneve komunale dhe Qeverisë dhe ka theksuar se viteve të fundit janë kthyer investimet në Stubëll, pasi që më parë ka qenë kontributi i banorëve por më shumë i mërgatës që janë realizuar projekte në këtë lokalitet.
Rruga e fshatit Stubëll ka një gjatësi prej 2 km e 246 metra dhe ajo do të asfaltohet në gjërsi prej 5 metrash. Në kuadër të këtij projekti do të bëhet edhe shenjëzimi i kësaj rruge që do të kushtoj dikur rreth 80.000 euro. /2L ONLINE/