Albin Kurti reciprocitetin si masë kushtëzuese ndaj Serbisë e kishte kërkuar që në vitin 2011 si liderë opozitar përmes një rezolute me 7 dhjetor 2011, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar me 42 vota për, 33 kunndër dhe 2 abstenime, në të cilën thuhej: “Qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë”.
Shkruan: Florim Zeqa
Mirëpo, vetëm një muaj më pas, me 20 janar 2012, me imponim të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, tani president i vendit, në Kuvendin e Kosovës u votua kundër rezoluta, e cila e e anuloi reciprocitetin me Serbinë.
Edhe pas kaq viteve, përseri e njëjta përballje me Serbinë, e njëjta përballje e Albin Kurtit me Hashim Thaçin! Por dallimi qëndron në kohë dhe përmbajtje. Tani nuk është më e 2011-ta, e fillimit të dialogut me Serbinë, por është e 2020-ta e fazës finale të dialogut, nga e cila Kosova edhe po të dojë nuk mund të ndryshojë gjë me reciprocitet e taksë, por vetëm me kushtin e njohjes së ndërsjellë.
Tani Albin Kurti nga pozita e kryeministrit për aq sa e ka në dorë, si shef i Qeverisë, të realizojë premtimin e tij për masa reciproke ndaj Serbisë, e ka të vështirë ta realizojë për shkak të trysnisë së paparë ndërkombëtare për heqjen e të gjitha kushtëzimeve ndaj Serbisë.
Mbetët të shihet, se a do t’i bëj ballë Albin Kurti presionit ndërkombëtarë, në veçanti atij amerikan lidhur me masen e reciprocitetit!?
Reciprocitet real e jo formal
Reciprociteti në radhë të parë e nënkupton lëvizjen e lirë të qytetarëve, gjegjësisht hyrjen dhe daljen nga shteti i Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas me pasaporta e jo të vazhdojnë kushtëzimet e njëanshme nga shteti i Serbisë për shtetasit kosovar vetëm me letërnjoftim, ndërsa shtetasit serb të kalojnë me pasaporta të Serbisë në territorin e Kosovës.
Reciprociteti do të ketë kuptim vetëm nëse Serbia i zbaton të njëjtat masa të cilat ajo i aplikon ndaj Kosovës.
Mirëpo, pa një trysni të vërtetë ndërkombëtare, vështirë është të besohet që Serbia pa njohje paraprake do të zbatoj masat e reciprocetit, gjegjësisht pranimin e pasaportave dhe dokumentave tjera me logon e Republikës së Kosovës.
Pra, reciprociteti duhet të jetë real e jo formal, siq ishte taksa 100 %, e shoqëruar me invazion të lartë fiskal dhe kontrabandë mallrash nga Serbia në Kosovë.
Reciprociteti real e kthen dialogun në binarë normal, në të kundërtën, reciprociteti formal, jo vetëm që nuk e ndal fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve, do ta dëmtojë dialogun dhe fusë Kosovën në një aventurë akoma më të rrezikshme, e cila mund të rezultojë me ç’njohje edhe nga shtetet me ndikim në Bashkimin Evropian.
Edhe po të vihet reciprociteti nga ana e ‘Qeverisë Kurti’, duhet të vëzhgohet me kujdesin maksimal zbatimi nga Serbia para vazhdimit të çdo dialogu me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, për t’u siguruar që Kosova po hyn në fazën e njohjes nga Serbia”, në të kundërtën zhgënjimi për qytetarët do të jetë i madh dhe pasojat për shtetin të pa llogaritshme.
Nuk ka reciprocitet pa heqjen e Rezolutës 1244
Përderisa Serbia e shfrytëzoi taksën si alibi për fushatë kundër tërheqjes së njohjeve, të njëjtën gjë mund ta bëj edhe me reciprocitetin duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Për këtë arsye duhet të tregohemi të syqelë përballë Serbisë, që të mos i krijojmë një mundësi të dytë për tërheqje të njohjeve dhe dëmtim të mëtutjeshëm të imazhit të Kosovës në botë.
Që kjo të mos ndodhë, paraprakisht çdo lloj takse dhe reciprociteti, Serbisë duhet parashtruar kushtin themelor, atë të njohjes së Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran në kufijt e njohur ndërkombëtarisht.
Asnjë lloj reciprociteti nuk mund ta deyrojë Serbinë ta njohë Kosovën.
Vetëm njohja e Kosovës nga Serbia do ta deyronte Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të anulojë Rezolutën 1244 e cila e njehë sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
Tani nuk bëhet më fjalë për asnjë lloj çlirimi të Kosovës nga brenda siq po e proklamon Albin Kurti; “Pas çlirimit në 1999 dhe Deklaratës së Pavarësisë në 2008, njerëzit e shohin zgjedhjen e qeverisë sonë si një çlirim të tretë” dhe as për “çlirim të Serbisë nga Kosova” siq foli në konferencën e Munihut, por për njohje të Kosovës nga Serbia, si të vetmen zgjidhje që garanton paqe dhe stabilitet afatëgjatë në rajon.
Para çdo lloj dialogu, reciprociteti apo takse duhet të jetë njohja e Kosovës i vetmi kusht që parashtron qeveria Kurti ndaj Serbisë, pastaj gjitha të tjerat do të bien në binar të vet sikurse trenat, pa pasur nevojë të bëhet garë, se kush e ndali apo e liroi trenin i pari!
I kaluam 21 pas çlirimit dhe 12 vjet të pavarësisë duke u vetëkënaqur e vetëmashtruar, të mbështjellur nga brenda dhe nga jashtë me vargonjët serb, të izoluar dhe përbuzur nga Bashkimi Evropian.
Ka ardhur koha që të lirohemi nga iluzionet e të qenurit të lirë e të pavarur, kur na mungon lëvizja e lirë dhe pavarësia në marrjen e vendimeve si shtet i pavarur dhe sovran.