I pari i FFK-së Agim Ademi e ka zyrtarizuar sot përzgjedhësin e Kombëtares U19. Në këtë pozitë ai e ka emëruar Adil Maliqin. I njëjti e pason trajnerin Ramiz Krasiniqi, i cili tash e tutje do ta mbajë pozitën e koordinatorit në U19, njofton faqja zyrtare e FFK-së.
Adil Maliqi i cili është lindur dhe rritur në Zvicër, ka të përfunduar akademinë e futbollit “Grasshopper Club Cyrih” dhe atë të “Fc Winterthur”.
Si futbollist, Maliqi ka qenë aktiv në Ligën e Parë të Zvicrës deri në vitin 2012.
Ai më pas ka drejtuar disa klube amatore në Zvicër dhe ka një përvojë 11-vjeçare si trajner. Fillimisht ai u përzgjodh zëvendës trajner në futbollin profesionist tek U15 në akademinë Wintertur, ndërsa më pas iu besua drejtimi i ekipit U17 me ç ‘rast kjo grup moshë nën drejtimin e trajnerit Maliqi shënoi suksesin më të madh ndonjëherë. Në karrierën e tij si trajner ai ka të fituar dy tituj me skuadrën “ SV Wyrenlos” në Ligën e Tretë të Zvicrës.
Presidenti Ademi i uroi mirëseardhje në Kombëtaren e Kosovës trajnerit Maliqi duke i dëshiruar shumë suksese, e po ashtu edhe rezultate të mira me grup moshën U19.
Nga ana tjetër Maliqi falënderoi presidentin Ademi për besimin e dhënë dhe premtoi se do të punoi me shumë përkushtim për suksesin e Dardanëve.
Trajneri Maliqi theksoi se pozita e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës është ëndërr e kamotshme e tij, derisa përfaqësimi i shtetit të Kosovës përbën krenari, njofton faqja zyrtare e FFK-së /2LONLINE/