Federata e Futbollit e Kosovës do të nisë një projekt të ri për zhvillimin e futbollit të femrave, në kuadër të programit HatTrick të financuar nga UEFA.
Projekti i ri do të bëjë fuqizimin e lojtareve që kanë potencial për ekipet kombëtare. Pikërisht për këtë projekt, sot, në FFK, është mbajtur takimi me lojtaret e përzgjedhura, ku sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, në shoqëri të menaxheres për Grassroots, Sanije Krasniqi, dhe menaxheres së futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka, shpjeguan detajet e këtij programi.
Salihu ka bërë të ditur se kjo është vazhdimësi e projektit të mbajtur në dy vitet e kaluara “Rekrutimi i vajzave të reja në futboll” dhe pjesë e strategjisë së FFK-së për zhvillim më të hovshëm të futbollit të femrave.
Pjesë e këtij projekti do të jenë nga dy lojtare të përzgjedhura të secilës grupmoshë nga të gjitha klubet (seniore, U19 dhe U16), të cilat do të stërviten një herë në javë në kryeqytet me trajnerët e përzgjedhur nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
Po ashtu, lojtaret që do të jenë pjesë e këtij projekti do t’i nënshtrohen edhe testeve fizike.