Federata e Futbollit e Kosovës ua ka dhënë një lajm të mirë gjithë tifozëve të Kosovës, të cilët po e kanë të pamundur të sigurojnë bileta për stadiumin “Fadil Vokrri”, i vetmi i licencuar nga UEFA e FIFA për ndeshje ndërkombëtare.
Kryetari, Agim Ademi tha se FFK-ja planifikon ta zgjerojë stadiumin e kryeqytetit, duke ia shtuar edhe 7 mijë ulëse tjera.
Ai shtoi se ulëset e reja planifikohen të shtohen në anën lindore dhe se FFK do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet shtetërore dhe UEFA-n e FIFA-n në realizimin e këtij projekti.
“Ne e kemi bërë një projekt menjëherë, për edhe diku shtatë mijë ulëse të tjera në lindje. E kam bërë projektin, e kam dorëzuar. Është i gatshëm, jam në negociata me UEFA-n se si ta bëjmë dhe jemi në negociata edhe me shtetin, sidomos me Ministrinë e Sportit për të na ndihmuar që ngritja e tribunës lindore të bëhet sa më shpejt”, tha Ademi.
Ndërkohë, Ademi e ka shprehur bindjen e tij se stadiumi “Adem Jashari” nuk do të shkojë larg dhe do të jetë i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare.