Një vit më parë, Kosova e humbi njeriun më të rëndësishëm në historinë e sportit, atë që e krijoi Kombëtaren dardane dhe i bindi dy shtëpitë qeverisëse të futbollit botëror dhe evropian, FIFA-n dhe UEFA-n, ta pranojnë Kosovën.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, bashkë me anëtarët e tjerë të FFK-së, ish-futbollistë të njohur, gjyqtarë dhe trajnerë si dhe grupin e tifozëve “Dardanët”, kanë bërë sot homazhe të varri i legjendës Fadil Vokrrit, në njëvjetorin e vdekjes së tij.
Gjatë homazheve, ata e kanë zbuluar pllakën përkujtimore tek varri i ish-presidentit të FFK-së.
Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vdiq mëngjesin e 9 qershorit 2018, si pasojë e një sulmi në zemër.
Me këtë rast presidenti Ademi është shprehur: “Sot një vit mbetëm pa një futbollist e mik të pazëvendësueshëm. Ne në FFK mbetëm pa prijësin tonë, i cili ishte kreator i rrugës drejt UEFA-s e FIFA-s dhe do të mbetet në histori si njeriu që e dërgoi Kosovën atje ku janë të gjitha shtetet, si pjesë e barabartë e familjes evropiane dhe botërore të futbollit modern. Shumë shokë e dashamirë të tij cilët e patën shok të tavolinës e ndejës e ndjejnë mungesën e tij. Në këtë përvjetor jemi mbledhur për të bërë homazhe dhe për ta zbuluar pllakën përkujtimore tek varri i tij, që është bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe për të evokuar kujtimet për Legjendën. Ne i jemi përherë mirënjohës atij, por edhe të gjithë atyre që sot nuk janë në mesin tonë e që kanë kontribuuar ndër vite të vijmë deri në këtë ditë, sepse futbolli është sport kolektiv dhe gjithmonë ka nevojë të funksionojë si ekip. Kështu kemi punuar edhe në kohën e Fadil Vokrrit, i cili si kapiten na ka prirë në rrugën e suksesit si Federatë. Edhe tani me ekip të përbashkët po e çojmë FFK-në dhe futbollin e Kosovës në një stad tjetër, duke arritur rezultate kulmore. Dhimbjen që e kemi përjetuar me humbjen e presidentit Vokrri tani e kemi shndërruar në përgjegjësi dhe krenari për suksese tjera. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, legjendës Fadil Vokrri”.