Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ edhe më tutje mbetet arena e vetme në vendin tonë në të cilën mund të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare. Megjithatë, aktiviteti i stërngarkuar në këtë stadium, qoftë me ndeshjet e kombëtares, qoftë me ndeshjet e ekipeve tona në Evropë, por edhe me ato të kampionatit vendor, ka bërë që fusha e tij tanimë të jetë në gjendje shumë të rëndë. Si rrjedhojë, fare lehtë ky stadium mund ta humbasë licencën e UEFA-s, si stadium i kategorisë së katërt.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e pranon se gjendja e fushës është e rënduar.
“Ne si FFK e kemi bërë të pamundurën që ta mirëmbajmë stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke e ditur se është stadiumi i vetëm në të cilin mund t’i zhvillojmë aktivitetet e ekipeve tona kombëtare. Duke e parë gjendjen e fushës para 6 muajve kemi intervenuar urgjentisht me ekspert të huaj për ta sanuar gjendjen, megjithatë ajo ka vazhduar të dëmtohet si pasojë e ngarkesës së jashtëzakonshme. Gjithashtu, ka vazhduar dëmtimi i objektit edhe në segmente tjera, qoftë nga publiku, qoftë nga ekipet të cilat i kanë zhvilluar ndeshjet aty”, ka thënë presidenti Agim Ademi, në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së.
Për këtë arsye presidenti i FFK-së, kërkon nga Qeveria që urgjentisht stadiumin “Fadil Vokrri” ta shpallë si objekt të rëndësisë së veçantë dhe të interesit nacional.