(2LONLINE) – Nuk janë të largëta vitet kur pëshpëritej (shumë herë edhe në mënyrë të fshehur), eh kur të lirohemi…. eh kur të krijojmë shtetin tonë…ja kështu e ke në vazhdimësi pasi që nuk ke shtet etj. Vitet e 90-ta paralajmëronin diçka të madhe që do të ndodhte. U bë e çka nuk u bë. Një pjesë e njerëzve rrokën pushkën kurse pjesa më e madhe braktisën vendin që të shpëtojnë kokën. Fëmijët e asaj kohe ishin edhe më trimat edhe më frikacakët. Në të vërtetë, edhe pse nuk e kuptonin peshën e situatës, kishin ëndrrat e tyre të bazuara në fjalët e prindërve dhe atyre që ishin më të vjetër se ata.
Me ardhjen e lirisë, me të drejtë pritej realizim i asaj që pritej me kohë. Të marrim shembull fëmijët që gjithsejtë kishin vetëm 10 vite. Ata me të drejtë prisnin që me ardhjen e lirisë shpejt do të funksionalizohet shteti, babi do të punoj, do të marr pagë të mirë, do të ndërtohen shkolla të mira, do të kemi infrastrukturë të mirë, ushtri, shëndetësi …po çka jo se.
Bilancet e aktiviteteve dhe punës bëhen duke filluar nga baza ditore, periodike, vjetore dhe periudha më të gjata kohore. Po çka të themi për këto 15 vite se. Ja të shohim se si u shkatërrua ëndrra dhe çka mbeti nga ajo. Pas vitit 1999, u pa si emergjente procesi i rindërtimit dhe ekzistenca bazike. Që nga fillimi u vërejt se të gjithë nuk e kuptonin botën në mënyrë të njëllojtë. Shumë më shpejtë se që kishte mundësi të mendohej, disa vrapuan pas lavdit e disa pas pasurisë. Një pjesë e madhe e lavdit dhe pasurisë ndonëse u përvetësua pa të drejtë. Që nga fillimi kishte doza të dëshpërimit.
Koha kalonte. Fëmijët më lartë të përshkruar sot i kanë 25 vite. Çka të thonë për vete. Nuk janë fajtor as të luftës e as të paqes. Dikur ishin të vegjël e me ëndrra shumë, kurse janë sot të rritur por pa ëndrra, edhe pse shpresa vdes e fundit.
Gjatë këtyre viteve erdhi deri te shkatërrimi i tri gjeneratave. Pensionistet mbetën pa pensione dhe pa ndihmë,së paku shëndetësore. Ata që punonim mbetën pa punë me rastin e procesit të transformimit pronësor. Më së vështiri për momentin është për rininë, e cila e pa perspektivë momentale, pritet të zëvendësojë gjeneratën paraprake. Një pjesë e madhe e tyre u pajisen me diploma të shkollave dhe fakulteteve të cilat mbinin si kërpudhat pas shiut. Këto letra në shumicën e rasteve kishin vlerën vetëm të peshës së letrës. Kjo krijoi prolongimin e së keqes për një periudhë.
Me krijimin e shtetit, një pjesë e grabitqarëve përvetësuan edhe lavdin e edhe pasurinë. Ku mbeti rinia e sotme? Për çudi, gjë që në asnjë mënyrë nuk guxonte të ndodh, shteti filloi të paraqitet pengesë e zhvillimit të rinisë. Ata me duar plot diploma të shkollimit, për momentin kanë dy zgjidhjeje: ose të provojnë të braktisin shtetin (të cilin e ëndërruan së bashku me prindërit e tyre) ose të provojnë të jenë në cilësi të kamerierëve, shitësve, punëtor krahu… ( shumica e tyre me diploma) . Këto alternativa mbeten të vetmet ngase është vështirë që të gjithë të kenë në krah të vetin njerëzit e pasurisë dhe lavdisë.
I drejtë është konstatimi i J.F.Kenndy që kurrë mos të pyetet shteti se çka bëri për ty, por të pyesësh veten se ti çka bëre për shtetin. Një konstatim do të vlente kur shteti luan rrolin e bariut për kopenë e vet. Në këto kushte shteti i Kosovës, ditë e mëtej, fillon të paraqitet i huaj, të ketë rolin hyjnor, të jetë fetish për popullatën e vet, e në radhë të parë rininë.
Nëse ne nuk jemi gjerman, francez, italian…atëherë pse vallë marrim rrugën e migrimit në kohën kur kemi shtetin tonë, nëse e kemi? Si të veproj një i ri një i ri në kushtet e tanishme, kur ka një shkollë pas vetes, ka një diplomë me të cilën e ka arritur një kualifikim Kur dihet ai të shpresoj se do të punësohet dhe me pagën e vet do ti jep vetës të drejtën të martohet dhe të krijoj jetë dhe gjeneratë të re. A është ky shteti i Kosovës i cili do të duhet realisht të jetë.
Në këto kushte athua vallë i nevojitet Kosovës një revolucion i brendshëm i spastrimit të së keqes. A ka rinia kosovare shtet tjetër. A është kjo formë e shtetit dhe qeverisjes e imponuar. Kur mund të pritet të ndryshohen gjërat. Apo, thënë në mënyrë më të përgjithësuar, cili nga problemet në Kosovë është i zgjidhur në mënyrë të kënaqshme me të cilin nuk ka nevojë më të merret, cili është problemi i zgjidhur i Kosovës (qeverisja, arsimi, shëndetësia, siguria… etj). Dyshoj se së paku një problem e kemi zgjidhur.
Rinia kosovare nuk do të lejon krijimin e gjendjes të fetishizmit të shtetit dhe për kohë të gjatë të merret me të fshehtat e tij. Jo larg , ajo do të pyes se shteti i Kosovës a është shtet të cilin si të tillë e dëshirojnë. Ata do ta kenë shtet të vetin Kosovën.
/Merita HYSENI/
(autorja studion për master në “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci”)