Nën urimet e të rinjve shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe drejtuesve institucional, mijëra qytetarë sot shënuan 28 nëntorin, ditën e Flamurit Kombëtar.
Si në Bujanoc ashtu edhe në Preshevë ishin organizuar protesta të qytetarëve duke kërkuar të drejtat në përdorimin zyrtar të Flamurit Kombëtar, si dhe shumë të drejta të tjera të cilat nuk i gëzojnë shqiptarët e këtyre komunave në jug të Serbisë.
Vendosja e Flamurit Kombëtar në ballkonin e godinës së administratës komunale
Në Bujanoc, nën brohoritjet e protestuesve, shefi i kabinetit të kryetari të komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, i shoqëruar nga kryetari i komunës Nagip Arifi, i Kuvendit Jonuz Musliu si dhe kryetari i OVL-së së UÇPMB-së Edmond Isufi, vendosi Flamurin Kombëtar në këtë institucion, raporton Titulli.
Më pas, pasoi leximi i deklaratës së këshilltarëve shqiptar të cilët ndër të tjera ngritën zërin kundër diskriminimit që po i bëhet shqiptarëve në përdorimin zyrtar të Flamurit Kombëtar.
“Kërkojmë me urgjencë nga të gjitha instancat relevante vendore dhe ndërkombëtare që me seriozitetin më të lartë të shqyrtojnë kërkesën e faktorit politik shqiptar të Luginës, që simboli ynë Kombëtar të përdoret i pa penguar në të gjitha institucionet dhe që kjo çështje të rregullohet me ligj”, thuhet në deklaratën e Këshilltarëve shqiptar të komunës së Bujanocit.
Këta Këshilltarë konsiderojnë se çdo tentim për të ndryshuar formën e Flamurit Kombëtar me arsyetim se ai nuk duhet të jetë i njëjtë me flamurin e ndonjë shteti tjetër, për shqiptarët e Luginës do të jetë i papranueshëm.
“Flamuri Kombëtar shqiptar duhet të jetë edhe pjesë e literaturës shkollore dhe si e tillë të mos cenohet në asnjë mënyrë, poashtu kërkojmë që figurat tona patriotike që kontribuuan për këtë flamurë dhe për këtë ditë, të mos nënçmohen”, thuhet në deklaratë.
Këshilltarët shqiptar kërkojnë edhe miratimin e të gjitha kërkesave të palës shqiptare nga Qeveria e Serbisë si parakusht për vazhdimin e bisedimeve të mëtejme për zgjedhjen e problemeve në Luginë të Preshevës.
Me kërkesa të ngjashme sot është protestuar edhe në Preshevë, ndërsa vlen theksuar se në këtë protestë ka munguar kryetari Ragmi Mustafa, i cili me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama po qëndron në Vlorë.
Një ftesë të tillë kishte edhe kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, i cili kishte zgjedhë të qëndrojë me protestuesit në Bujanoc.
Arifi së bashku me Musliun dhe përfaqësuesit e OVL-së së UÇPMB-së bënë homazhe te varri i dëshmorit Ridvan Qazimi (Komandant Lleshi) e Besim Faiku.
Vlen theksuar se protestat kanë kaluar të qeta ndërsa janë vërejtur forca të shtuara të policisë lokale.
Për 101 vjetorin e Pavarësisë, profesori Muharrem Goga organizoi marshin e nxënësve të veshur me bluza kuq e zi, nga qendra e fshatit Tërnoc deri në sheshin e Bujanocit.
Në këtë ditë festive shtëpitë e kulturës së këtyre dy qyteteve kanë shfaqur program kulturoro-artistik.