Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli e nisi edicionin aktual me Zekirija Ramadanin, me të cilin u nda e më pas duke e zëvendësuar me Dejan Vukiçeviq.
Edhe trajneri malazez nuk përmbushi pritshmëritë e klubit drenicas, të cilët reflektuan duke e zëvendësuar me trajnerin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Agim Sopi.
Me ardhjen e Sopit, Feronikeli nisi të këndellej dhe pas 17 ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll, zë vendin e pestë në renditje me 27 pikë, shtatë pikë më pak se lideri Ballkani.
Për stinorin pranveror, Feronikeli ka paralajmëruar ndryshime të mëdha në përbërjen bazë, derisa ka konfirmuar se futbollistët Kastriot Rexha, Albutrint Morina, Arbër Prekazi, Astrit Fazliu dhe Lulzim Doshlaku janë të lirë të largohen.
Deri më tani, Feronikeli ka sjellur katër përforcime si Simon Loshi, Kristi Kullaj, Ilir Berisha dhe Keith Groeneveld.
Tutje, Feronikeli do ta nis freskët edicionin e ri në Superligën e Kosovës. Skuadra e drejtuar nga Agim Sopi do të udhëtojë drejt Turqisë nga data 26 janar deri më 9 shkurt.
Lajmi në fjalë është konfirmuar nga këshilltari i Feronikelit, Albert Bunjaki. Ish-trajneri i Përfaqësueses së Kosovës ka konfirmuar se skuadra nga Drenasi do t’i zhvillojë edhe katër miqësore të forta në Turqi.
“Do të luajmë miqësore edhe me skuadrën e parë. Ne do të luajmë kundër Olympic Donetsk, por edhe me dy skuadra tjera të njohura, prej të cilave jemi duke e pritur ende konfirmimin”, ka thene Bunjaki.