Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” Preshevë në bashkëpunim me Universitetin Internacional të Novi Pazarit- dega në Preshevë përmes një aktiviteti letrarë e shënuan 28 Nëntorin, ditën e Flamurit Kombëtar.
Koordinatori i këtij universiteti, Kujtim Sadriu theksoi se poetët e kanë nderuar institucion universitar dhe se janë të mirëpritur edhe në të ardhmen në organizime të tilla kulturore.
Demush Berisha, Kryetar i Kuvendit të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, elaboroi në pika të shkurtra një historik për këtë datë të shënuar.
“Shqiptarët kudo e festojnë Flamurin Kombëtar, i cili daton me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ngritja e Flamurit ishte dashur të bëhet në Durrës, por për shkak të rrezikut ata e ngritën në qytetin historik të Vlorës nga plaku i mençur Ismail Bej Vlora” është shprehur Berisha.
Në këtë orë letrare mori pjesë edhe profesori nga Novi Pazari, Kemal Xhemiqi, i cili ua uroi të pranishmëve Festën e Flamurit.
“Së pari ua uroj Festën e Flamurit të gjithë shqiptarëve dhe dëshiroj që në të ardhmen të ngrisim ura bashkëpunimi me Universitetin tonë dhe pse jo këta shkrimtarë të përkthehen edhe në gjuhën boshnjake” deklaroi Xhemiqi.
Profesori potencoi se ai është me prejardhje ilire dhe e përgëzoi koordinatorin dhe Shoqatën e Shkrimtarëve për bashkëpunim, me shpresë që ky fillim do të jetë një urë lidhëse mes nacionaliteteve e gjegjësisht me Sanxhakun, përfundoi profesori Kemal Xhemiqi.
Ndërsa kryetari i të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” shkrimtari Bilall Maliqi e udhëhoqi orën përkushtuese letrare për këtë datë me rëndësi kombëtare.
“Shtrohet pyetja pse ne shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kemi të drejtë në përdorimin e lirshëm të flamurit tonë nëpër institucione komunale, e as në këtë ditë të shënuar, kur në Novi Pazar krahas flamurit të shtetit serb valon edhe flamuri i myslimanëve dhe atë i Bosnjë e Hercegovinës, kjo është fare e pakuptimtë”, tha Maliqi shkruan Titulli.com.
Ai më tej ju drejtua politikës shqiptare të Luginës të gjejë ndonjë zgjidhje ose përmes faktorit ndërkombëtar që të na lejohet përdorimi i flamurit siç u lejohet myslimanëve në Novi Pazar dhe serbëve në Kosovë.
Pas kësaj kryetari Maliqi, dha një letërnjoftim të shkurtër lidhur me aktivitetet e Shoqatës dhe të Karvanit të Shkrimtarëve të Luginës dhe të poetëve të pranishëm.
Në këtë orë letrare lexuan, Bilall Maliqi, Rexhep Abazi, Demush Berisha, Avni Shaqiri, Jalldeze Kasumi, Nehat Ramizi dhe Alixhemal Salihu.
Ky ishte një manifestim solemn për nderë të festës së flamurit kombëtarë dhe shënimit të përvjetorit të shtetit të Shqipërisë.