(2L ONLINE) – Me qëllim që edhe gjinia femërore të jetë pjesë e planifikimit të kornizës buxhetore 2015-2017 Institucionet Komunale të Vitisë në bashkëpunim me Grupin e Grave të Vitisë kanë zhvilluar dje një diskutim publik lidhur me këtë temë.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se edhe pse gjinia femërore nuk ka qenë e përjashtuar të marr pjesë në diskutimet publike e që deri me tani janë mbajtur në 11 lokalitete të ndryshme dhe kjo sipas tij me qëllimin më të mirë që të krijohet një buxhet real.
“Femrat nuk kanë qenë të përjashtuar nga e drejta e pjesëmarrjes në diskutimet publike nëpër fshatra dhe në qytetin e Vitisë por duke e ditur se një pjesë e fermave hezitojnë të marrin pjesë në këto takime ne po e mbajmë sot këtë takim” u shpreh Aliu.
Ndërkaq Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama i njoftoj ato lidhur me listën për investime kapitale e cila është formuar pas diskutimeve në lokalitetet e kësaj komune duke potencuar se kjo listë është në interesin e të gjithëve pa dallime.
“Propozim listën për investime kapitale të cilën e kemi hartuar pas diskutimeve me banorët e komunës sonë është në interesin e të gjithëve pa dallime gjinore, etnike apo grup moshe” u shpreh Rama. Ndërkaq në emër të grupit të grave të Vitisë ka folur kryetarja e këtij grupi Mirlinda Sadiku e cila parashtroj një listë të kërkesave për investime kapitale duke theksuar se këto kërkesa dhe sugjerime kanë ardhur pas konsultimeve që i ka pasur grupi i grave të Vitisë mes veti por edhe me gjininë femërore mandej ajo këtë listë ja ka dorëzuar edhe Institucioneve Komunale të Vitisë.
Gjatë këtij takimi është hapur edhe diskutimi publik ku gratë e kësaj komune kanë parashtruar kërkesat dhe nevojat e tyre, ndërkaq përfaqësuesit e institucioneve komunale kanë folur rreth mundësisë të përfshirjes të kërkesave të tyre./2L ONLINE/