Sportistja, Fallon Sherrock u shënua në histori si femra e parë që mposhti një mashkull në Botërorin e pikados.
Sherrock ishte e pafjalë pasi të martën mbrëma në “Alexandra Palace” të Londrës mposhti me 3:2, 22-vjeçarin, Ted Evetts në Kampionatin Botëror të pikados në serinë PDC.
Kjo seri lejon edhe pjesëmarrjen e një numri të kufizuar të femrave dhe Sherrock ishte një nga to.
Duke folur të mërkurën për “Good Morning Britain”, 25-vjeçarja ka thënë se planifikon të shesë atë dërrasë fituese të pikados për të mbledhur para për Organizatën Nacionale për Autizëm, që ndihmon të përkrahet i biri i saj 5-vjeçar Rory, që ka autizëm.
Fallon, që deri katër vjet më parë ishte një frizere profesioniste, së pari ka nisur të luajë pikado si 17-vjeçare dhe ka një motër binjake Felicia Blay, që po ashtu luan këtë sport.