/2L ONLINE/– Gjatë ditës së sotme të parafundit të Manifestimit multikulturor, fëmijët ishin ata të cilët me interpretimet e tyre në kuadër të pjesës “Xixat e Flakës 2017”, i kanë dhënë sharmin dhe shijen mbase më të këndshme tërësisë së manifestimit të këtij viti “Flaka e Janarit”, i cili po mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri.
Ata janë prezantuar para auditorit pjesëmarrës në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan, me interpretimet e tyre të përgatitura, të përcjella me korreografi të nevojshme për këtë pjesë artistike.
Këtë e ka konfirmuar edhe vet udhëheqësi i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, Bashkim Nexhipi, i cili ka qenë mjaft i fokusuar në mbarëvajtjen e tërësishme të kësaj pjesë artistike, sikundër edhe mbarë manifestimit në përgjithësi.
Ndërsa përkushtimi për pjesën artistike të programit të prezantuar në kuadër të pjesës “Xixat e Flakës” është paraqitur si domosdo e nxjerrjes në pah të vlerave sublime artistike të fëmijëve, sinonim të artit të së ardhmes sonë në përgjithësi.
Për këtë është përkujdesur me të gjitha elementet e nevojshme, si ato skenike, po ashtu edhe korreografike e programore, shkolla e mesme e ultë dhe e lartë e muzikës në Gjilan, dhe vet drejtori i këtij institucioni Kushtrim Jakupi.
Ai madje ka shfaqur hapur ngazëllimin e përgjithëshëm për mbarëvajtjen e kësaj pjese për fëmijët, ndërkohë që ka theksuar të jetë ndarë i kënaqur me rrjedhën e tërësishme të këtij aktiviteti.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2017” vazhdon në orët e mbrëmjes me njërën nga shtyllat më të rëndësishme të tij, “Pena e Flakës”, ku do të prezantohen rezultatet e konkursit letrar në prozë e poezi, derisa do të është mbajtur edhe ora e madhe letrare me krijimet e përzgjedhura paraprakisht. /2L ONLINE/