Fehmi Sylejmani do t’i rikthehet Kuvendit Komunal të Gjilanit, aty ku ishte më parë për një mandat (2013-2017), e ku edhe nga organizatat joqeveritare monitoruese ishte vlerësuar si një kuvendarë mjaft aktiv, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai i rikthehet Kuvendit, pas dorëheqjes së Nevzad Isufit, nga të gjitha funksionet që i kishte në Lëvizjen Vetëvendosje, duke përfshirë këtu edhe të qenit anëtar i kuvendit komunal të Gjilanit.
Mësohet se Sylejmani është kontaktuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor dhe ka nisur procedurat për t’u zyrtarizuar anëtar i KK-së së Gjilanit dhe sipas të gjitha gjasave, në seancën e radhës, që pritet të mbahet javën e ardhshme, nëse çdo që procedohet me kohë, mund të jetë pjesë e seancës, transmeton Portali 2LONLINE.
Përndryshe, nëse i referohemi votave të grumbulluara, Sylejmani ka pasur vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit, madje duke i kaluar me votë edhe tri asambleiste të subjektit të tij, por se ka qenë “viktimë” e kuotës gjinore.
Me hyrjen e tij në Kuvend, pritet të pasurohet opozitarizmi në Gjilan. /2LONLINE.com/