Paraditen e së premtes, në ambientet e kompleksit turistik “Vali Ranch”, personat me aftësi të kufizuar nga “Handikos”-si në Gjilan, u takuan me pronarin e këtij kompleksi turistik, gjithashtu edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, Fehmi Fetahi. Sipas përllogaritjeve që janë bërë nga organizata të ndryshme qeveritare e joqeveritare, dhjetë për qind e popullatës në Kosovë, del të jetë me nevoja te vecanta, e të cilët fatkeqësisht përballen me vështirësi të shumta.
Fehmi Fetahi, kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, para të pranishmëve tha se, në çdo vend të Evropës e perëndimit, personat me nevoja te vecanta, janë një kategori ndaj të cilës shteti ka një përkujdesje të veçantë. “Në çdo shtet evropian e perëndimor, kjo kategori, rrjedhimisht çështja e tyre është e rregulluar me ligj, ngjashëm sikur tek ne, por dallimi mes nesh dhe vendeve evropiane qëndron në atë se këtu në Kosovë nuk zbatohen ligjet në mënyrën e duhur, dhe në saje të kësaj nuk iu plotësohen kushtet dhe kërkesat që vijnë nga kjo kategori”, tha Fetahi.
Kategori të caktuara në Kosovë, e që realisht shteti do të duhej t’i ketë në prioritet, kanë mbetur larg vëmendjes institucionale. “Rruga e integrimeve evropiane është e mbushur me kritere, në mesin e tyre është edhe çështja e personave me nevoja te vecanta. Plani ynë qeverisës këtë kategori të shoqërisë do ta trajtoj me prioritet, duke iu mundësuar shërbime të duhura dhe të nevojshme për jetën e tyre, duke filluar nga rehabilitimi shëndetësor, medikamentet dhe pajisjet tjera, dhe integrimi i tyre në jetën shoqërore dhe institucionale në Kosovë”, përfundoi z.Fetahi.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe dy kandidatët tjerë për deputet nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi e Rexhep Kadriu, të cilët u zotuan se me programin qeverisës që ky subjekt ofron, nuk do të ketë asnjë kategori e caktuar të shoqërisë sonë e cila nuk do ta ndjej dorën e shtetit. Këtë e garanton “Drejtimi i Ri”, dhe Ramush Haradinaj kryeministër.
E sponsorizuar/