Ndonëse e “tronditur” nga zhvillimet e fundit, eliminimin e hershëm nga Kupa e Kosovës dhe më pas edhe ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Ardian Nuhiu, skuadra e futbollit FC Drita, ka gjetur forcën e duhur, për ta përmbyllur stinorin vjeshtor me fitore, pasi në udhëtimin ka mundur skuadrën e Drenicës, me rezultat 1-3.
Ishte kjo ndeshje e javës së 18-të në elitën e futbollit kosovar, ku skuadra bardh e kaltër i arkëtoi tri pikë të reja dhe aktualisht mbanë pozitën e parë të tabelës së klasifikimit me 38 pikë nga 18 xhiro, 8 pikë më shumë se Ballkani i dyti, por që ka 4 lojë më pak.
Marko Simonovski ka shënuar dy gola (42′, 69′), ndërsa golin e tretë e realizoi Besnik Krasniqi nga pika e bardhë (79′). Besnik Krasniqi ishte edhe njëherë realizator, por në portën e gabuar (autogol 84’).
Përndryshe, ishte kjo një fitore e madhe dhe e rëndësishme për Dritën për të shkuar në pushim mes stinorëve, kohë e mirë kjo për reflektim dhe për t’i bërë llogaritë e duhura, që t’i rikthehet kampionatit, edhe më fuqishëm, nëse do, që të jetë në objektivat e saja, e që padyshim që, për një skuadër si FC Drita, ato mund të jenë vetëm më të lartat e mundshme, në këtë rast, titulli i Kampionit të Kosovës. /2LONLINE/