(2L ONLINE) – Në raportet policore të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Rajonale të Gjilanit, përkatësisht në statistikat e tyre për periudhën kohore njëjavore (30.07.2014 – 05.08.2014), fatkeqësisht kësaj here janë shënuar edhe dy aksidente të komunikacionit që kanë rezultuar edhe me fatalitet.
Duke iu referuar këtyre statistikave brenda një jave në Rajonin e Gjilanit janë regjistruar gjithsej 66 aksident të trafikut. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhës në këtë rajon ka pasur 66 aksidente trafiku nga të cilat 19 me lëndime në njerëz, 45 aksidente trafiku me dëme materiale, por pa lëndime, si dhe dy aksidente me fatalitet.
Kur jemi te aksidentet fatale, bëhet fjalë për aksidentin fatal që kishte ndodhur në Pozheran të Vitisë, ku kishte humbur jetën një vajzë 10 vjeçare, e cila derisa ishte duke ecur në këmbë, ishte goditur nga një veturë në lëvizje, si dhe rast më i ri, ku po ashtu ka pësuar një këmbësore, ai që ka ndodhur në aksin rrugor Karaqevë e Epërme-Muhovc të Kamenicës, ku një veturë kishte goditur këmbësoren. E cila nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Përndryshe, Hashani tha se gjatë kësaj periudhe janë shënuar përgjithësisht 53 incidente të ndryshme, ka pasur 28 persona të arrestuar dhe janë shqiptuar 788 tiketa gjobitëse për ata që nuk kanë respektuar ligjin në komunikacion.
Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të shtojnë kujdesin dhe të jenë pjesë e komunikacionit konform ligjit duke i respektuar të gjitha rregullat, në mënyrë që t’u iket aksidenteve./2L ONLINE/
/fotoilustrim/