Nexhat Rexha
FATI NË KAPËRCIM DHEMBJESH DERI NË FLIJIM
(Sherafedin Kadriu&Sabit Rrustemi:”Rrugëtimi i një bashatdhetari”,Botoi Shtëpia Botuese ”Beqir Musliu”, Gjilan, 2020, fq. 302 )
Të njohurat dhe të panjohurat në shtegtimet e njeriut, lidhin fatin për të mundur kohët e përndjekjeve për shumë fate njerëzish. Në këta binarë të rrugëtimit, e nëpër stacione të ndjekjeve shpalosen edhe rrëfimet e Elfi Agushit, fati dhe dashuria për atdhe kanë krijuar ëndrrën e tij në çdo skutë ku ai ka frymuar. Të gjitha hapërimet e protagonistit të këtyre rrëfimeve shpalosen në librin e Sherafedin Kadriut dhe Sabit Rrustemit ”Rrugëtimi i një bashkatdhetari”. Brenda faqeve të librit, lexuesi ndjen dhe përjeton momentet më delikate të kryeprotagonistit, të cilat janë sa të rënda, po aq edhe adhuruese, sepse ngjarjet dhe pikëtakimet e tija janë përjetime, ato bartin në vete mesazhe për kohët në të cilat janë arkivuar në memorien e Elfi Agushit.
Libri që nga faqet e para të ofron njohje të trevës së Karadakut, e cila fillon nga Gryka e Konçulit dhe arrin deri në Kaçanik. Këto lidhje gjeografike në tërësinë e saj autoktone shqiptare, dëshmojnë rezistencën më këmbëngulëse gjatë pushtimeve të gjata nëpër kohë. Në pika telegrafike janë prekur këto dhe vendbanime tjera, kurse me theks të veçantë janë dhënë përshkrime të fshatit Dunav dhe Goden i Vogël.
Në libër janë përshkruar karakteristika për disa periudhave kohore si; rëndësia e pozitës gjeografike, qëndresa e banorëve të kësaj treve autoktone, pastaj janë dhënë karakteristika të ruajtjes së; Relievit, Hidrografisë, Klimës si dhe zhvillimi bujqësor për mbijetesën e banorëve të këtyre trevave me pasuritë e begatshme të botës bimore dhe shtazore.
Në kujtimet e Elfi Agushit janë arkivuar edhe pasuri të rëndësishme, ato që i ka ruajtur toka, përkundër sunduesve të ndryshëm nga Perandoria Osmane e deri te kjo e fundit Serbe. Në libër janë saktësuar ato vlera që janë ruajtur në forma të ndryshme në popull, e të cilat janë pasuri kombëtare si; arkeologjia, toponimia, kultet fetare, kalatë e shumta në këtë treve, për të cilat janë krijuar edhe legjenda dhe janë ruajtur në kujtesën e popullit,kurse gjurmët e tyre janë ekzistuese ,mirëpo, ato kërkojnë përkujdesje institucionale, duke e ditur se vlera e tyre është e madhe .
Autorët e librit kanë shfrytëzuar edhe literaturë historike, si dëshmi për ekzistencën e banorëve të këtyre trevave gjatë shekujve. Nëpër këto përjetime e kohë, Elfi Agushi rrëfen ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore për fshatin Dunav dhe Goden i Vogël dhe fshatra tjerë. Periudha pas luftës shtoi represionin dhe kamufloi me projektet serbe për dëbim, duke krijuar programe për shtetin, e në veçanti kundër shqiptarëve, si me tepricat apo si përdorej në popull në atë kohë ”Otkupi”. Në libër gjejmë edhe pjesë e fragmente të dokeve kanunore tradicionale, të cilat pasqyrojnë karakterin shoqëror të krahinorizmave tona. Pastaj, vrasja e personaliteteve të dalluara kombëtare nga serbet, si rasti i mixhës Hamit e shumë të tjerëve.
Shkuarja e Elfi Agushit në Gjermani dhe marrja e pasaportës e të tjera, janë fillimet që shpalosin edhe vrasjen e babit të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Veprimtaria atdhetare e Elfi Agushit ngërthen në vete kaptinën më të rëndësishme, kryesisht pas Demonstratave të vitit 1981. Kontaktet e tij me Kadri Zekën në baskëveprim, dhe lidhja e ngushtë me të deri në ditën e vrasjes, janë brumosje të idealeve të pathyeshme gjatë gjithë jetës së tij. Pastaj angazhimi në organizime edhe me Jusuf e Bardhosh Gërvallën e shumë të tjerë, cilësojnë virtytet e njeriut të përkushtuar në rrugën e lirisë. Të dhënat për organizimin e demonstratave të para në vitin 1981, më 11 prill në Bern, më18 prill në Curih, pastaj, më 3 maj në Shtutgard, më 16 maj në Munih, më 31maj në Gjenevë, më 12 korrik në Bazell, e në shumë vende tjera të Evropës, janë dëshmi të gjalla të këtij rrugëtimi, se ai ishte shtyllë e veprimeve të forta dhe njëri ndër organizatorët e këtyre ngjarje që bënin historinë e re të Kosovës.
Veprimtarët Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe shumë të tjerë organizuan edhe shumë manifestime të ndryshme kombëtare. Formimi i klubeve shqiptare dhe lidhja sa vinte e forcohej në organizim të çështjes së njohjes për të drejtat e shqiptarëve dhe shtrohej vazhdimisht kërkesa për Republikën e Kosovës. Politika serbe duke i pa këto zhvillime të mërgatës sonë, si gjithmonë veproi me platforma tjera për likuidimin fizik të veprimtarëve dhe kështu edhe ndodhi vrasja e Kadri Zekës, Bardhosh e Jusuf Gërvallës. Në këto rrethana politike, mërgata shqiptare veproi në forma të ndryshme për të vepruar e ruajtur në kontinuitet frymën e atdhedashurisë. Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Elfiu mbajti lidhjen me krerët më të lartë të organizmit politik. Pastaj angazhimi me partinë e UNIKOMBIT dhe deri në takimin e tij në Tiranë me Zahir Pajazitin në vitin 1995, në formimin e celulave të UÇK-së, janë pika ndriçuese në rrugën e lirisë.
Kapitull në vete janë rrëfimet e bashkëveprimtarëve të shumtë që flasin për kontributin e Elfi Agushit. Portreti atdhetar dhe puna e pandërprerë e Elfi Agushit është shpalosur në shkrimet e shumë veprimtarëve, me të cilët ai ka vepruar në të gjitha vitet. Në këto procese e zhvillime politike, ai ishte gjithnjë koshient në mbarëvajtjen e tyre.
Personaliteti i tij prej humanisti, ka mbajtur gjallë jetën e shumë familjeve në Kosovë në ditët më të rënda të okupimit klasik të Serbisë.
Në libër autorët kanë shkruar edhe për gjenealogjinë e familjes së ELFI Agushit dhe shkrime tjera , të cilat janë begatuar edhe me fotografi, për të ruajtur autencitetin e veprimtarëve të familjes, si dhe rolin edukativ që ka familja e tij. Libri përmbyllet me pjesën e Anekdotave dhe përkushtimeve.
Tematika e larmishme e ngjarjeve në librin e Sherafedin Kadriut-Sabit Rrustemit”Rrugëtimi i një bashkatdhetari”, artikulon botën e shpirtin e një atdhetari që ka bartur mbi supet e veta përgjegjësi deri në kapërcim të dhembjeve të gjata që nga fëmijëria e deri në ditët e moshës së tretë. Kryeprotagonisti i kësaj vepre Elfi Agushi, në faqet e librit ka dhënë mesazhe të punës dhe dinjitetit njerëzor e atdhetar. Për të arritur deri këtu, ai ka kaluar nëpër krajata të mundimshme deri në ditët e lirisë. Personaliteti i tij ka manifestuar, kreativitetin në ditët më të vështira, ai gjithnjë ka mbetur njeri i devotshmërisë në kohë të duhur.
Libri i botuar nga Shtëpia Botuese ”Beqir Musliu” ka begatuar fondin e botimeve me vlera origjinale, të cilat ruajnë dokumentaritetin e jetës dhe veprës së Efli Agushit. Mesazhet e protagonistëve në rrëfimet e tyre, komunikojnë me thënien e At Zef Pëllumit, në parathënien e librit ”Saga e fëmijnisë-dhetë vjetë liri”, ku ai thotë:” Unë kam aspirue gjithmonë një epokë tjetër t`ardhshme për krejt njerëzimin. Do të vijë ndonjëherë ajo ? Un besoj” . Pra, vepra dhe fjalët ruajnë më së miri testamentin e jetës dhe të bëmave tona në fjalët e shkruara. Në këto kondita vepra e bashkautorëve, Sherafedin Kadriut-Sabit Rrustemit”Rrugëtimi i një bashkatdhetari”, ringjallë e ruan ngjarje të rëndësishme të kësaj periudhe kohore.
Kryeprotagonistit të këtyre rrëfimeve Elfi Agushit, i urojmë, shëndet e begati në familje dhe suksese edhe për rrëfime e shpalosje të ngjarjeve të tjera. /2LONLINE/