(Jo veçse do të ishte mirë, por kemi obligim shtetëror, kombëtar e historik)
Në një takim rasti me një punëtor të ujësjellësit regjional në Gjilan, arrita të kuptoj një mungesë rregulli administrativë brenda organizimit të kësaj ndërmarrje publike. Në fakt, kjo mungesë rregulli është edhe në KEDS.
Shkruan: Gani Neziri
Nuk dyshoj se kjo mungesë rregullash, defekt i krijuar nga stafet udhëheqëse të ndërmarrjeve por, kujtoj se është rezultat i mos angazhimit të mjaftueshëm të shoqatave joqeveritare që veprojnë në Gjilan e po ashtu edhe mungesë ideje e gjitha grupimeve politike relevante të Komunës së Gjilanit, e ndoshta edhe gjetiu në Kosovë.
Uji është burim natyror i krijuar nga Zoti ynë si njëri ndër elementet më të domosdoshme jetësore. Përpunimin e ujit dhe formën e organizuar të shpërndarjes për nevoja të qytetarëve e bënë Ndërmarrja regjionale “Hidromorava”, kompani publike e Komunës së Gjilanit.
Nënkuptohet se, organizimi i brendshëm i kësaj ndërmarrje do të ketë rregullore pune, të mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mbi bazën e të cilës bëhet shpërndarja e ujit dhe caktimi i tarifës për pagesë për shfrytëzuesit e ujit.
Qëllimi final i shkrimit tim ka të bëj me një kërkesë detyrimore morale (jo veçse propozim) që të zbatohet mbështetur në ligj. Pra, Lirimi nga pagesa për shfrytëzimin e ujit dhe rrymës për gjitha familjet e dëshmorëve të lirisë. Madje, edhe sikur të ujisnin malin rreth shtëpie e sikur të nxehnin hallën sportive.
Një Nënë që i ka falur të birin e vet kësaj toke, një nuse e re që kujdeset për fëmijët e dëshmorit të lirisë nuk do të duhej që të ‘’njiheshin’’ fare me inkasantët e tagrambledhësit e formave të ndryshme të Kosovës së Re.
Aq më tepër, të mos ndodhë të provokohen asnjëherë me përpjekjen e ç’kyçje nga rrjeti i ujësjellësit apo nga rrjeti i rrymës këto Nëna e këto Nuse dëshmorësh.
Vetëm një pikë gjaku e derdhur për lirinë e kësaj toke ka çmimin më të madh se shpenzimi i rrymës dhe i ujit që mund ta harxhoj familja e një dëshmori gjatë gjithë jetës së tyre.
Dëshmorët dhanë jetën për këtë tokë nga ku buron uji dhe nga ky ujë ku prodhohet rryma.
Do të ishte e mjaftueshme, sikur të paguanin me rregull politikanët dhe bizneset tregtare. Ndërsa, bujkut dhe ndërmarrjeve prodhuese tu përgjysmohet tarifa e pagesës.
Qeveria e Kosovës ka marrë‘’kurajon’’ që të nxjerr vendim (politik) për pagesën e rrymës për gjithë serbët e Mitrovicës së veriut edhe pse ata nuk njohin mjaftueshëm shtetësinë e Kosovës. Ndërkohë që, shpenzimin e tyre (enorm) u kanë përpjesëtuar qytetarëve shqiptarë (deri vonë) pa dijeninë e tyre.
Prandaj, më mirë do të ishte që të përpjesëtonim shpenzimin e familjeve të dëshmorëve, të bijtë e të cilëve na e sollën lirinë.