Familjarët e personave të pagjetur, protestuan sot para Qeverisë, në shenjë pakënaqësie me punën që është bërë për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre. Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Zhdukur, Haki Kasumi tha se kërkojnë më shumë informacione për njërëzit të cilët u mungojnë tash e 15 vjet.
Kur e tërë bota përgatitet sot për festimin e ndërrimit të motmoteve, familjarët e personave të zhdukur protestuan para ndërtesës së Qeverisë, me të vetmen kërkesë, që të kenë sa më shumë informacione për fatin e më të dashurve të tyre, transmeton RTK.
Haki Kasumi, kryetar i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të personave të zhdukur u shperh se ata i drejtohen përfaqësueseve të lartë të vendit që të ushtrojnë presion te pala serbe.
Ndërkaq kryetari i shoqatës ”Zëri i Prindërve”, nga Mitrovica, Bajram Cirkini, shprehet se familjarët e të zhdukurve nuk kanë sonte festë, ata shikojnë dritaret në pritje të kthimit të të dashurve të tyre.
Në mesin e familjarëve ishte edhe e motra e akademik Ukshin Hoti, Mirvete Kasumi, e cila thotë se me dialogun Kosovë-Serbi çështja e të zhdukurve do të duhej të ishte e para në rend dite.
Në konferencën e fundvitit të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, u tha se mbi 30 lokacione janë gërmuar për gjetjen e të zhdukurve, nga të cilat janë zhvarrosur 35 viktima, kryesisht shqiptarë.