Në ditën e aktiviteteve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike me rastin e shënimit të 5-vjetorit të themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, studentët dhe mësimdhënësit e FSHK-së kishin përgatitur një program të pasur.
Për këtë fillimisht kanë paraqitur një prezantim për FSHK në të cilën përfshiheshin proceset në të cilat ka kaluar universiteti, projektet lokale dhe ndërkombëtare në të cilat marrin pjesë studentët dhe mësimdhënësit e FSHK-së, rritjen e stafit akademik, akreditimet e programeve studimore baçellor dhe master, intervistat me studentë etj. Skena e vendosur në hollin kryesor të UKZ-së ku u prezantua programi, ishte e rregulluar me mbishkrimet “5 ditë aktivitet për 5 vjet Universitet”, fletëpalosje të FSHK, revista “Kodi X”, zërimi dhe teknika tjetër e nevojshme për përdorimin e Teknologjisë Informative.
Programin e gjithë aktiviteteve, e hapi Dekani i Fakultetit Xhevdet Thaqi, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, studentë, mësimdhënës dhe pjesëmarrësit tjerë, kujtoi kohën e themelimit të Universitetit para 5 viteve. Kështu, Dekani Thaqi elaburoi edhe themelimin e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike i cili regjistroi studentët e parë në vitin akademik 2014/2015.
Sipas tij, nga atëherë FSHK filloi rrugëtimin që u shënua dhe vazhdon të shënohet me rezultate të mëdha si në organizimin e procesit mësimor ashtu edhe në fushat tjera të jetës universitare duke organizuar forma të punës të cilat rezultuan me projekte të rëndësishme të cilat zgjidhin probleme konkrete të komunitetit.
Dekani Xhevdet Thaqi tha se, studentët dhe mësimdhënësit e FSHK krenohen me rezultatet e arritura në krijimin e webfaqeve të shkollave, të ndërmarrjeve, të institucioneve tjera, të procesit mësimor, e sidomos me faktin që në FSHK u konstruktua dhe u funksionalizua printeri 3D. Prandaj, siq tha Dekani, ne jemi krenar në këtë kremte të 5 vjetorit të themelimit të Universitetit!
Në vazhdim, studentët prezantuan disa nga projektet e punuara si ato të ndërtimit të shenjave “5 ditë aktivitet për 5 vjet Universitet” me anë të printerit 3D, të Platformës së menaxhimit universitar, të webfaqes së një ndërrmarrje ndërtimore, të një shoqate të bamirësisë etj.
Në fund, ligjëruesja Linditë Nebiu Hyseni, duke i falënderuar pjesëmarrësit, u uroi edhe 8 Marsin tri studenteve të secilit vit të studimeve me nga një lule.