Sot në Prishtinë u hap Java Globale e Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW), ku Kosova është pjesë e saj për të dhjetin vit me radhë. Këtë vit, pjesë e GEW është edhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, në kuadër të partneritetit që ka me Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK) e cila është nikoqir kombëtar.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof.Asoc.Dr.Xhevat Sopi. Me këtë rast ai zhvilloi edhe një bashkëbisedim me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, nën patronatin e së cilës sivjet mbahet Java e Globale e Ndërmarrësisë në Kosovës. Dekani Sopi e njoftoi Presdidenten për aktivitetet që do t’i zhvilloj Fakulteti Ekonomik në kuadër të GEW-it, si dhe orientimin e Fakultetit Ekonomik për të përgatitur kuadro për të qenë ndërmarrës, për çka mori mbështetjen dhe inkurajimin nga ana e Presidentes Osmani për të vazhduar në këtë rrugë.
Ndërkohë, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Fakulteti Ekonomik organizon të enjten, me 17.11.2022 një tryezë diskutimi në temën: Mundësitë për ndërmarrësi pas krizës së COVID-19.
Në këtë aktivitet, ndërmarrës, profesorë dhe student të Fakultetit Ekonomik do të diskutojnë për temën duke e shikuar nga një këndvështrim optimist.
Në Javën Globale të Ndërmarrësisë në Kosovës, që zhvillohet prej 14-20 nëntor, marrin pjesë mbi 70 organizata, biznese, donatorë dhe institucione partnere të Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK), me mbi 100 aktivitete.
Java Globale e Ndërmarrësisë, është ngjarja më e madhe festive e ndërmarrësisë në botë, e cila bën bashkë ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës, politikë-bërës dhe aktorë tjerë, që për qëllim kanë zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin. GEW filloi si lëvizje më 2007 me nismë të Kauffman Foundation dhe Administratës së Presidentit Barack Obama, në kohën e krizës globale ekonomike. /2LONLINE/