(2L ONLINE) – Formulimi i një gjykimi kritik të drejtë për poezinë e autorit Sabit Rrustemi nuk është një punë kalimtare. Si çdo vepër artistike që ka elementë dhe është fryt i veprimit të shumë faktorëve edhe poezia e këtij poeti ka një amalgamë tërësore konceptesh dhe perceptimesh, ka një risi tipologjike në vetvete. Ajo ka një thellësi të dejshme artistike dhe një pasuri të ndjeshme tipologjike. Problemi i kritereve që karakterizohen janë ndjesi më vete në këtë ndërlidhje metodologjike. Është vetë filli artsjellës që determinon anët dhe kriteret në ndjekjen dhe logjikën artistike të kësaj krijimtarie. Mes vëllimit poetik “Murale shpirti” (G(r)afite dymijetrembëdhjetë) autori kapërcen atë boshllëk të mbledhur në rendditësi me një hapësirë të determinuar të zbrazet për shpirtin e lexuesit, si një metaforë bashkërenditëse të fatit të njohjes dhe mosmirënjohjes, ku vizatohet vetë ‘piramida e shekullit të njëzetenjë’.
Një koncept ky që vjen nga poezia moderne si një atitudë morali për vetë anën social-politike me të cilën autori qas atitudën e vështirësisë në kontekstin estetik. Robert Kaufman, nga Universiteti i Stanfordit, ndalet në këtë aspekt në një studim të detajuar të tij. Ai thekson se ‘Poezia moderne është e vështirë’. Sipas tij kjo është ndoshta më e njohur nga vetë karakterizimi i këtyre poezive moderniste dhe postmoderniste të angazhuara për eksperimentime tematike dhe veçanërisht formale. Në këtë studim shihet qartë se perceptimi ndeshet me faktorët artistikë dhe ekstraartistikë dhe si pasojë ka shumë për të thënë në lidhje me perceptime të tilla, dhe shumë aspekte tipologjike mes poezisë dhe tematikës janë arsyet e vetë logjikës për të thënë atë që autori e shtjellon me penelatën e tij artistike.
Për të vënë gjërat në këtë mënyrë të arsyeshme, është tashmë e domosdoshme për të dalluar mes stigmave kryesore në poezinë bashkëkohore të Rrustemit. Dhe brenda poezive të trajtuara në vëllimin e tij “Në fytyrën e një gjethi” (ditar poetik mes dy nëntorësh) dallohet edhe vetë udha poetike e poetit Sabit Rrustemi. Ajo është një udhë që i pjek tërë faktorët artistikë dhe ekstraartistikë duke i vënë madje edhe nën qepallat e një dritareje, cikël poetik, ky i autorit që shtjellon e qëmton ndjeshëm fenomenin artistik. Sabit Rrustemi nuk shkon tej këtyre qepallave, por në arsyen e tyre dhe nën qepallat e një dritareje ai gjen ditën e hyjneshës që ‘Vjen në krye të çdo moti/Përmes udhës rrotulluese/Dhe një Nateje të Madhe” për të na siguruar se ndjenja e poetit është arti i fjalës, dhe mes atij arti ai pra vetë poeti na tregon se ‘Me themel shprushem/Pastrohem/Për sytë plot dritë’. Kjo nuk është vetëm një renditje fjale, as edhe një vargëritëm klasik, por një zbërthim didakt i asaj që stigmon dhe që i pjek tërë faktorët artistikë dhe ekstraartistikë. Autori na sqaron duke na qetësuar mes leximit kur dikton se ‘Fole e saj është krejt natyra/Çdo lule e fije bari/Dhe pritja ime/Nën qepallat e një dritareje/Ajo vjen/Me shi më shpërlanë/Më kthjellon/Puhia e flokëve të saj/Faqeve më miklon/Para agut në shesh më nxjerr/Në ditën e madhe/Më lumturon/Për jetë e mot’. Dhe është jo pak por një kohëgjatësi sa ‘Një gjysmëshekull /E pres atë Hyjneshë/Për një ditë/Qoftë vetëm një ditë/Dashuri.’, pra një dashuri që lidh e determinon mjaft arsye mes konceptit filozofik të kohës, hapësirës dhe vetë vendit të ricaktuar në kornizën e një dritareje. Në atë dritare ku shihet dhe struket një botë e dukshme dhe e padukshme. Vetëm filozofia e poetit e shtjellon dhe e saktëson atë botë, atë dritare, atë hapësirë që i ndricon tërë faktorët artistikë dhe ekstraartistikë.
Brenda këtyre faktorëve poezia e këtij autori shërben si një mjet ndërlidhës ku sqarohet mes leximit se si objektet e subjektet, që janë arsye dhe mesazhe e që do të thotë janë të përfshirë në ndërveprime sociale e kulturore, krijojnë dhe ruajnë identitetin dhe komunitetin poetik. Në mënyrë të veçantë, ajo shqyrton prodhimet dhe përdorimet e artit të fjalës brenda vetë nocionit poezi moderne dhe strukturore. Poezia ‘Në dorën tënde’ nuk është e vetmja që na jep kuptim të qartë në këtë pikë: ‘Imja tokë më ngroh/Ushqen/E etjen ma heq/Për të lëshuar shtat/Rremb i kësaj luleje/Të bëhem/Në dorën tënde/Për çdo mëngjes’. Eduard Hirsch na sjell në vëmendje anën e këtij aspekti kur ai lidh komunikimin e autorit dhe lexuesit mes anëve artistike, që sipas të cilit kryen e funksionojnë mes vetë metaforave. Sipas Hirsch ‘Transaksioni ndërmjet poetit dhe lexuesit, këto dy raste të një realiteti, varen prej anës figurative gjuhësore, si shëmbëlltyra, figurave të mendimit’. Poezia ngjall një gjuhë që lëviz përtej literales dhe rrjedhimisht një mënyre të të menduarit që lëviz përtej literales. Ka shumë gjëra të tjera që komuikojnë mes dhe ndërmjet vargut poetik të Rrustemit. Robert Frost rrëfen në vazhdueshmërinë simbolike, por ajo që dallon nga këto është se ajo është metaforë, duke thënë një gjë dhe që do të thotë një tjetër pra duke na dhënë vetë faktorët artistikë dhe ekstraartistikë. Poezia është bërë mese metaforës një pjesë vecori e vetë artit të fjalës që zhvillon poeti Sabit Rrustemi. Ajo është një përplasje, një marrëveshje e fshehtë, një kompresim ndryshe nga gjërat, ku zakonisht A është B. Kjo është një transferim i energjive poetike, një mënyrë e ndërhyrjes mesazhiere, një çështje e identitetit dhe ndryshimit mes arsyes filozofike. Një poemë e tillë e Rrustemit është një urnë e farkëtuar, një ikonë verbale. Një poemë e marë në konsideratë nga krijimtaria e tillë e Rrustemit është një shëtitje; një poemë është një meteor në hapësirën e tij. Një poemë e tillë mund të quhet një ngasje artistike, ashtu si një person është unik dhe i drejtohet lexuesit personalisht (WH Auden ). Një poemë është një dorë, një goditje, një lutje. Kjo poezi është një shpirt në veprim.
Nga Fatmir Terziu