Në Bibliotekën Rajonale të Gjilanit, është promovuar libri me vargje poetike “Loti im”, i Fadil Memetit, krijues letrar nga Livoqi i Poshtëm i Gjilanit.
Për librin në fjalë foli referuesi, Tahir Arifi i cili ka vlerësuar poezitë e përmbledhur në këtë libër e që janë 37 sosh.
Fjala e plotë e Tahir Arifit para pjesëmarrësve në këtë promovim:
Është thënë nga kritika se poezi është veta e parë “unë”, se ajo nxjerrë të pathënat e shpirtit, se buron mes dhembjesh e se thirrja e saj është thirrje individuale që shpreh vetveten.
Libri “Loti im”, në fakt është një përmbledhje vjershash pasi që tematika e motivet brenda tij dalin ashtu si kanë buruar, pa mundin për t’u bërë libër i sistemuar poetik i autorit Fadil Memeti, siç ndodh zakonisht me lirikën, bëhet biografi shpirtërore e vet autorit.
Në vargjet e këtij libri, që nuk mbështetë a krijon ndonjë koncept filozofik , a të qenë poetik, lexohet e qartë thjeshtësia e shprehjes së ndjenjës, pa vrapin pas figurave a gjuhës së latuar, pa thellësinë e kërkimit të përgjigjeve. a thellësinë sugjestionuese.
Janë këto vargje, burim i sinqertë i ndjenjës që dominohet nga dhimbja, por e thënë pa ofshama e që pikë ndalese e bënë zotin, të cilit i lutet, ankohet, beson e gjen ngushëllim.
Vdekja konkrete, migrimi, fëmijëria e veçanërisht dashuria janë motive që aniktektonisht ndërtojnë vargjet e këtij libri dhe pothuaj të gjitha këto motive, fjalët, figurat dominuese bëhen: dhembja, loti, vuajta e përball tyre, dashuria si koncept universal, madje dhe kur flet për Vlorën, shpatën e Skënderbeut e Agim Ramadanin.
Heroi lirik i këtyre vargjeve këngën e ofron si flijim në dëshirën e ëndrrën e tij që të “takohemi në diell”, edhe pse ai thekson “guri unë vet jam”, dhe në përpjekjen për ta ndarë e për të gjetur të përbashkëtat e përrallës dhe të vërtetës, ai ka nevojë ende të mësojë kur thekson “ më mëso të dua”.
Kështu subjekti lirik ndjehet i paqëndrueshëm nga goditje që ka marrë. Por, me gjithë këtë ai e shpreh thjeshtë atë – pothuajse sikur të mos ketë ndodhur asgjë, sepse fundja “nuk je këtu rastësisht”, thekson ai në përpjekjen për të përcaktuar misionin vetanak të jetës.
Disa nga poezitë që perceptojnë kuptimësinë e jetës dhe synimin për ta përcaktuar rolin shoqëror të individit, dalin më të realizuar në libër pasi që nuk kufizohen nga strofa, vargu apo kërkimi i rimës.
Në poezinë “Vetës”, ku shprehja lirike drejtohet në veten e dytë, edhe pse përsëri shprehë unin lirik autorial, realizohet mjaftë bukur si mendim poetik: /Merr një shteg të ri/ Kërkoje dritën/ Mos rri vetëm duke e pritë/. Apo në vargjet ku flet për fjollat e borës që “shkrin e vdesin sapo vëhen në dorë”. Kjo duket të jetë pikëpamja mbi jetën e të jetuarit, pra, dhembjes e lotit i vëhen përballë si antiteza të nënkuptuara e edhe si paradoks qëllimi për të përmbushur misionin e jetës. Të kuptuarit se nuk jemi “rastësisht” këtu edhe pse gjithçka duket kaq e shkurtër dhe e dhimbshme, sa fjollat e borës në pëllëmbën e dorës që “ngrinë dhe ngrohin njëkohësisht”.
Në këto poezi ku perceptimi mbi jetën provohet e kuptohet nga pozicionimi filozofik, sigurisht pa u lidhur për ndonjë shkollë filozofike, pasi që autori, edhe në këtë rast, burim e ka shpirtin e tij dhe muza e tij, formëson vargjet e mendimit poetik mes paradoksesh, çfarë në të vërtetë është jeta e secilit. /Dihet që nuk vdes/ ti vdekje që jeton/ e që në fakt realizohet si oksimoron.
Kështu poezia e Fadil Memetit shtrihet në dy drejtime që kombinohen, dhembje, pikëllimi e loti në njërën anë dhe synimi për të kuptuar misionin jetësor individual, në anën tjetër, dhe që të dyja përfundojnë në përqafimin e zotit, ku jeta e vdekja, dhembja e lumturia e paktë ndërtojnë binom të pandarë, lidhje që përforcojnë njëra tjetrën.