Fadil Hajdari, ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet që kishte në PDK, qoftë në nivel Dege në Gjilan, qoftë në qendër, duke braktisur kështu këtë subjekt politik, në të cilën dha kontribut tani e 18 vite me radhë.
Portali 2LONLINE, ka siguruar shkresën që Hajdari e ka bërë për kryesinë e Degës së PDK-së në Gjilan, anëtarë i të cilës kryesi ishte deri më sot, për ta njoftuar për hapin e ndërmarrë, por ku ka paraqitur shkurt edhe arsyet e një veprimi të tillë.
“Duke e parë të pamundur mundësinë për ndryshim, avancim dhe përmirësim të gjendjes si dhe ngushtimin e hapësirës në degën e PDK-së në Gjilan, ofroj dorëheqje të parevokueshme nga kryesia dhe nga të gjitha funksionet në degë dhe qendër të PDK-së”, ka thënë Hajdari.
Ndërsa në sqarimin e tij, Hajdari ka thënë se me ardhjen në krye të degës së PDK-së, të Zenun Pajazitit, kjo degë mori teposhtëzën.
“Ai e ngulfati zërin progresiv dhe kritik, mbylli rrugët e komunikimit ndërpartiak, degradoi degën bashkë me nëndegë, injoroi strukturat e vjetra dhe të reja të partisë, zhvilloi politikë individuale e assesi kolektive partiake, me një fjalë, ai do të mbahet mend, sa të jetë PDK-ja, si një menaxher i dobët i partisë”, thotë Hajdari, transmeton 2LONLINE.
Përndryshe ai ka kujtuar angazhimin e deritanishëm që pati si pjesë e PDK-së, duke bërë të ditur se përgjatë 18 viteve në PDK, ka pasur pozita të ndryshme partiake, në të cilat ka dhënë kontributin maksimal të mundshëm.
Hajdari ishte themelues i parë i Rinisë Demokratike të Kosovës (atëbotë quhej Rinia Progresive e Kosovës), ishte kryetar i parë i Rinisë Demokratike të Kosovës, Dega në Gjilan, delegat i Kuvendin të Degës në të gjitha zgjedhjet në PDK, anëtar i shumë komisioneve profesionale në PDK, anëtar i kryesisë së degës së PDK-së pothuaj në të gjitha zgjedhjet partiake, kryetar i nëndegës së XX,
Po ashtu ishte asembleisti – këshilltari më i ri në Kuvendin e Komunës në zgjedhjet e para komunale, anëtar i Komitetit për Kulturë, Rini dhe Sport, në dy mandate, anëtar i Komitetit për Pronë dhe Banim, një mandat, delegat i të gjitha Kongreseve dhe Konventave të PDK-së në Prishtinë.
Përndryshe, ai ka falënderuar dhe ka shprehur konsideratën e tij të thellë për të gjithë miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët në PDK, që punuan bashkë përgjatë 18 viteve.
“I njoftojë, të gjithë përkrahësit dhe mbështetësit, se aktivitetin tim politik do ta vazhdojë edhe në të ardhmen, në ndonjë subjekt tjetër politik, për të cilën do të jeni të informuar më kohë”, ka thënë në fund Fadil Hajdari, duke folur për të ardhmen e tij politike.