Arianit Sllamniku
Analist i integrimeve evropiane
Vet titulli tingëllon si profeci e që në fillimin e mendimit të jep zhgënjim, i cili nuk mund të shpjegohet pa hyrë në një analizë në disa segmente.
Citoj Ainshtajnin i cili kishte pas thënë se “zotësi është kur imagjinata kthehet në realitet dhe jo realiteti konvertohet në imagjinatë”, andaj edhe kjo flet shumë për kohët e sotme, për ne që po e përjetojmë tranzicionin e sistemit e që realisht ithtarët e mendimit se sistemi krijon konforditet pensional e kanë edhe më të vështirë ndryshimin qeverisës i cili ndodhë në botën demokratike, e që është kyç i dallimit të dy sistemeve atij komunist dhe demokrat.
Hit singli i famshëm i grupit hungarez Scoprions “Winds of Changes” e që në shqipe i bie “Fryma e ndryshimeve”, në kohën e rënies së murit të Berlinit u bë sinonim i ndryshimit të sistemit të shteteve post komuniste të cilat sot janë shtete anëtare me të drejta të plota në BE, Bashkim Evropian të cilin ne e kemi gojën plot integrim, e që me progresin dhe avancimin tonë kah kjo bashkësi as edhe një hap nuk kemi lëvizur përpara, avancim i Kosovës drejt BE-së të cilin e kemi të shkruar Raportin çdo 6 muaj nga BE-ja për secilin shtet veç e veç, e veçanërisht edhe për Kosovën, i cili tregon se ku jemi dhe se sa rrugë duhet të bëjmë për të arritur nivelin perendimor si popull, si komb dhe si shtet me institucionet e saj.
Na pret vullnet me pak kohë në dispozicion me dituri e vlera se kah dëshirojmë të avansojmë dhe të rrugëtojmë si shtet me institucione lokale dhe qendrore.
Raportet e Progresit për Kosovës do të jenë të njëjta, pa pikë avancimi derisa nuk hapim rrugë institucionale gjeneratës e cila din se kah dhe çfarë duhet të synojë në proceset që duhet të kaloj vendi e që po e ilustroj më një thënie tjetër të pleqnarëve tanë: “Kaun e vjetër smun e shtin n’zhgedhë” andaj vlerësoj se vendi ynë dhe institucionet e tij tani kanë nevojë për kuadrot dhe gjeneratën e re dhe profesionale në nivelin lokal por edhe atë qendror brenda institucioneve të saj.
Na pret shumë punë dhe shumë mund. Por avancimi drejt demokracisë së mirëfilltë dhe vlerave perendimore neve ende nuk ia kemi prekur fillin. Tani vlerësoj se jemi në mes të tranzicionit politik nga sistemi i vjetër në sistemin e botës perendimore. Matësi i kësaj është edhe barrikadimi apo privatizimi i subjekteve politike në vend përkundër hapjes së tyre për vlerat e reja dhe profesionale në njërën anë, si dhe krijimi i iniciativave qytetare, grupeve dhe kandidaturave të pavarura të cilat deshëm apo nuk deshëm i bëjnë presion avancimit të tranzicionit politik që është emblemë e dallimit demokrat nga ai monist apo komunist.
Partitë, iniciativat individuale, lëvizjet politike qytetare si dhe të gjitha grupimet politike garojnë me vlera, projekte si dhe profesionalizëm në kohën e implementimit në terren, e që dyshoj se shumë nga këto i përmbushin kriteret që të marrin besimin e qytetarit i cili ka njohuri për vlerat dhe profesionalizmin institucional.
Realiteti dhe e vërteta gjithmonë dhemb.
Këta rreshta duken si kritikë!
Po. Është kritikë. Sepse vlerësoj që kemi mundur të bëjmë edhe më shumë në drejtim të avansimit të të gjitha fushave të jetës në përgjithësi, por nuk e bëmë deri sot. Nuk e bëmë sa e bënë shtetet e rajonit dhe ato fqinjë të Kosovës. Jo që nuk deshëm por nuk u krijua hapësirë për kuadro profesionale në institucionet lokale dhe qendrore drejt avancimit properendimor të vendit dhe institucioneve në relacion me rajonin i cili gati se i tëri u integrua në bashkësinë me mbi 500 milion banorë.
Vlerësoj se hendekun e kemi tek militantizmi si interes grupor, klanor apo partiak i çfarëdo lloji, mbizotëroi dhe qeverisi mbi interesin e progresit të institucioneve të shtetit dhe popullatës së saj më të re në Evropë. E bëmë që ta ruajmë individualitetin dhe fshehjen e shpirtngushtësisë dhe mosdijes duke u thirrur në patriotizmin folklorik në shkëmbim të një shërbëtori të ulët e qesharak i cili kur të vjen puna e profesionalizmit dhe vlerave, siç thotë një fjalë e vjetër “as nuk grahet e as nuk ngrehet” e sidomos në takim dhe përballje me akterët e huaj, atëherë është kuminacioni.
Është kohë e dhembjes dhe dhimbjeve, kohë e cila sjell edhe mundim duke tentuar të mbahet nën kontroll “pozita e profesionalizmit pensional” i kuadrove folkloriko-patriotike të cilat nuk e kanë prekur sistemin e vlerave dhe vlerësimin e botës demokratike.
Është kohë e cila na pret me plotë befasi, zhgënjime, vnerë e mllef, ataqe kardiake e dëshpërim.
Jo që është dëshirë individuale e dikujt por është sistemi i vlerave i cili fillon të mbizotërojë e të sundojë, për dallim nga formacionet që tentojnë të mbijetojnë ose ta kontrollojnë atë sikur edhe tranzicionin e deritanishëm.
Çfarë presim, e zbërthyem aq sa mundëm por nëse ky sistem ngulfatet atëherë sinqerisht nuk mundemi ta paramendojmë se çfarë na pret nga presioni i cili do të fillojë të krijohej brenda vendit. Evolucion apo Revolucion?! /2lonline/