Shkruan: Zejnullah Jakupi
(2L ONLINE) – Pas zhgënjimit markant që u manifestua në fillim dhe tani pas koalicionit qeverisës, athua bezdiset kush për opinionin publik`? Çfarë po thuhet e shkruhet për Kosovën? Në gjithë vendet studiohet opinioni publik dhe kjo detyrë duhet të jetë e shtetit, ndërsa në Kosovë s´bëhet asgjë, nuk ka ose ka shumë pak kulturë dhe më shume kiç dhe llum, si në politikë dhe ekonomi. Sikur gjithë i ka kapluar euforia solipsiste! Nuk paska liberalizim të vizave as në 2015! Edhe ky një lajm i keq,- sërish frika nga izolimi. Një politikan si Edi Rama edhe në Serbi, së paku në B92 theu debaklin kulturor deri sa imitohej nga Zoran Kesiq. Kurse disa gazeta e sollën lajmin se presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga ju paska përkushtuar muzikës dhe na shfaqin presidenten duke kënduar në një koncert.
Viti i Ri filloi si keq me këtë llum gazetarie të verdh deri në asht! Nuk do të ndalen së turpëruar duke botuar foto lakuriqe dhe do i korrin shume LIKE. Turpin e han në vend të bukës, mjerë si e kanë bezdisur popullin e mjerë, mjeranët! E liderët egoist janë nxënë pisk! A i duhet vallë opinionit një kontroll, a mërzitet kush se çfarë bëhet në këtë vend. Varfëria është dera e hekurt, jo vetëm për ata që po ikin dhe po e lenë Kosovën, por edhe këtë llum gazetarie të poshtëruar me gjithë opinionin publik, i cili siç dihet në Greqinë e vjetër Antike, shërbente si një kontroll social që u hynte në punë të gjithëve e që kushtëzohej me arritjen e një konsensi. Sokrati e quante opinionin publik “ligj të pashkruar”, d.m.th ligj që falë ndikimeve psikologjike, përfillej nga njerëzit pa ndërhyrjen e shtetit.
Si të dilet nga ky siklet-qorrsokaku?
Dalja nga qorrsokaku është i lidhur me ndryshimin, së pari të opinionit publik, dhe bindjes se duhej ndryshuar gjendja akute e padurueshme. Sikur të vinin reagimet nga të gjitha anët kundër këtij kaosi nga media sociale, nga gazetat, nga shoqëria civile dhe nga liderët euforik, kjo do ishte e mundshme. Euforia ka fuqi magjike! Ajo ka pleksur çdo qelizë aktive të arsyeshme. Së pari për këtë ndryshim duhet ti bindim elitistët dhe më pas konformistët. Elitistët parapëlqejnë gjykimin e peshuar’ politik dhe kundërshtojnë rrymën konformiste. Ata vlerësojnë se kanë aftësi për të vlerësuar, reklamohen se dinë çdo gjë. Ata shiten si të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, thonë gjithçka është në rregull! Në pika të ndjeshme dyja palët, si elitistët ashtu edhe konformistët nuk kundërshtojnë gjendjen e tanishme. Populli si i pa fat dhe pa pushtet duhet të pajtohet me fatkeqësinë e pashmangshme kundër këtij detyrimi. Gjithsesi edhe kësaj here, si gjithmonë, në kohë kauzash politike e sociale, logjika e konceptit konformist (integrues) të duket e arsyeshme, sikur elitistët ta gjenin shpëtimin pas kërkimit, si nëpër mjegull!
Liderët euforik-solispsist
Solipsistët kanë identitetit të skajshëm subjektiv. Atyre nuk ju intereson interesi i të tjerëve, por veç interesi i vet. U duket vetja të dijshëm dhe të pa zëvendësueshëm. Solipsizmi i tyre është barazi me egoizëm. Descartes do të theksonte: Bota, ajo që nuk më përket mua, është një vetëm një ëndërr! Realiteti për euforikët egoist është pikëvështrim, një racionale relative, e të mos themi dogmatike. Ky është koncepti i tyre, konceptimi i mos pranimit ose i injorimit të të tjerëve. Bota që i rrethon është pikëpamja e tyre realiste është vullneti për ta parë botën si donë vet. Me të drejt Arthur Schopenhauer e quante principin e realitetit “vullnet”.
Liderët egoist kanë frikë nga izolimi!
Këtë e ka vërtetuar sociologia gjermane Elisabeth Noelle-Neumann me teorinë e saj të ashtuquajtur, “Spiralja e heshtjes”. Mekanizmi që i shtyn njerëzit të sillen në një mënyrë të caktuar, thotë Neumann është frika, frika nga sanksionet në rastin e mospërfilljes së një gjendje të caktuar. Si zakonisht euforikët parapëlqejnë urdhra detyrues. Nuk duan ta ndiejnë veten të izoluar, as të ndodhen papritmas në anë e kundërt me shumicën! Të theksojmë paraprakisht se euforia, frika nga izolimi i ka “ bashkuar” “kundërshtarët” edhe atëherë kur nuk janë pajtuar të bashkohen. Shumica e liderëve të tillë preferon t´i shkojë pas karrocës me muzikë (Bandwagon Effekt). /2L ONLINE/