Loja e shahut që shpeshherë nga historian të shumtë njihet si lojë shumë fisnike e me rrënjë mbretërore, po gjen interesim edhe tek të rinjtë shqiptarë në komunën e Bujanocit që po tregojnë suksese në garat rajonale.
Erjon Elshani, nxënës i klasës së shtatë në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc vazhdon me pasionin e tij për lojën e shahut që në garat e fundit ka zënë vendin e parë në Kampionatin Individual të Kosovës për grupëmoshat e reja.
Kjo garë e organizuar nga Federata e Shahut të Kosovës u zhvillua në qytetin e Prizrenit për tre ditë rresht e ndarë në dy kategori dhe lojërat u zhvilluan sipas sistemit tradicional zviceran.
Erjoni gjatë këtij garimi në nëntë meçe grumbulloi 8.5 pikë dhe kështu arriti të shpallet kampion i Kosovës në shah për grupëmoshat deri në 14 vjeç, fitore e cila i siguron pjesëmarrje në garat evropiane të shkollave që do të mbahen në qershor të vitit 2015 në Konya të Turqisë si dhe pjesëmarrjen në kampionatin individual evropian për grupëmoshat e reja që të mbahen në Porec të Kroacisë në muajin tetor.
Prindërit e Erjonit thonë se ai është një talent i jashtëzakonshëm e entuziast i madh i lojës së shahut që pretendon të sfidohet edhe në garat ndërkombëtare, shkruan Titulli.com.
Ai është fitues edhe shumë garave më herët që në vitin 2011 është shpallë kampion i Kosovës për grupmoshat deri në 10 vjeç dhe në shtëpinë e tij ai ruan me shumë krenari medaljet dhe diplomat e fituara nëpër turne të ndryshme.
Javë më parë Erjon Alishani, përfaqësoi shkollën e tij në garat e shahut në rajonin e Pçinjës i cili zuri vendin e parë dhe u kualifikua për në garat republikane që do të mbahen më 18 prill në Verbas të Vojvodinës.
Loja e shahut ka prejardhje nga vendet e Lindjes India, që luhet ndërmjet dy vetave në një dërrasë të ndarë në gjashtëdhjetekatër katrorë të vegjël dhe me tridhjetedy figura (gjashtëmbëdhjetë të bardha e gjashtëmbëdhjetë të zeza), të cilat kanë vlera të ndryshme dhe vendosen e lëvizin sipas disa rregullash të caktuara në fushën e lojës.
Suksesi i Erjon Alishanit mundë të inkurajojë të rinjtë nga Bujanoci që të merren më shumë me pasionet e tyre dhe të sfidohen në vendet rajonale e ndërkombëtare.