Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Inspektorat Ramadan Basha, drejtoren e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Suna Zajmi – Krasniqi dhe U.d i QKMF-së Besim Beqiraj, kanë pritur në takim një ekipë nga Gjilani të përbërë prej Drejtoreshës së QRSHP-së në Gjilan mikorobiologen Ajhane Sefiu, epidemiologen Burbuqe Shkodra, specialisten e ekologjisë Dr. Hidajete Halimi, specialisten e mikrobiologjisë Saide Bekteshi si dhe Drejtorin Klinik në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit anasteziologun Ukshin Ismajli.
Në këtë takim janë shkëmbyer përvojat nga të dy anët lidhur me situatën e krijuar pas përhapjes së virusit SARS-CoV-2.
Kryetari Qëndron Kastrati ka falenderuar këtë ekipë për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar për Kamenicën.
“Ju falenderoj për gatishmërinë. E di që jeni në ballë të kësaj lufte. Ne e çmojmë jashtëzakonisht shumë punën e secilit prej jush. Pas kësaj sfide, shoqëria do të gëzoj respekt edhe më të madh ndaj mantelbardhëve”, ka thënë Kastrati.
Epidemologia Burbuqe Shkodra ka thënë së bashku do ta tejkalojnë edhe këtë sfidë.
“Ne shpresojmë që do ta kalojmë edhe këtë sfidë të gjithë së bashku. Bashkëpunimi me banorët e fshatit Topanicë nuk mungon. Jemi në kontakte të vazhdueshme me ta përmes telefonit. Janë të përgjegjshëm në përcjelljen e temperaturës. Na raportojnë dy herë në ditë”, ka thënë ajo.
Në fund ata u shprehën të gatshëm të ndihmojnë Komunën e Kamenicës me kapacitetet që i kanë.