(Edona Haliti, “Merrmë me nisjen”, poezi, shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2014)
/Hajdin Morina/
(2L ONLINE) – Vëllimi poetik “Merrmë me nisjen” (2014) i poetes së re Edona Haliti për shumëçka dallon nga vëllimet e para poetike të autorëve të rinj dhe dallon për nga vlerat estetike edhe nga shumë botime të tjera të autorëve të ndryshëm të hapësirës së poezisë shqipe që janë botuar jo vetëm brenda vitit 2014, por edhe para tij. “Merrmë me nisjen” është vepra e dytë letrare e kësaj autoreje ( më 2013 botoi vëllimin e parë poetik “Buzëqeshi dritës”), mirëpo poetika e poezisë, figuracioni, arkitektura poetike dhe të gjitha shtresat e tjera strukturore, përfshirë emocionin e një ndjenje të rrallë poetike dhe njerëzore, të gjitha këto janë shenja që lexuesi është mësuar t’i gjejë tek autorët që tashmë kanë bërë një traditë të gjatë shkrimi ose kanë një talent dhe imagjinatë të rrallë krijuese.
Vëllimi poetik “Merrmë me nisjen” a është produkt i fantazisë, i leximit të autorëve të njohur apo i këmbënguljes së autores për ta deshifruar jetën, për ta lexuar në vargje emocionin e vet dhe të brezit të saj? Mendoj, poezia e Edonës flet se kemi të bëjmë me të gjitha këto pjesë të pyetjes dhe me këmbënguljen e saj që të krijojë një libër me vlerë për vlerat njerëzore që mbajnë drejtpeshimin, entuziazmin dhe lumturinë e jetës, siç është dashuria, kjo ndjenjë dhe ky koncept që trajtohet dhe madhërohet nga fantazia e saj krijuese, nga figuracioni dhe mesazhi i fuqishëm i vargjeve. Poezitë e këtij vëllimi lexohen si një poezi e vetme për dashurinë, si një shpalosje ose ritregim artistik i ëndrrës, si një gjakim njerëzor dhe letrar, por poezitë lexohen edhe si zbulim i dëshirës së poetes që dashuria si ndjenjë dhe si koncept të kuptohet, të trajtohet dhe të promovohet ndryshe nga dogmat dhe fanatizmi i rrejshëm, por edhe ndryshe nga morali pa standard i kohëve moderne. Dashuria në këtë vepër trajtohet në totalitetin e saj dhe artistikisht ky koncept është veshur me nuanca të së madhërishmes artistike, e cila reflekton tek lexuesi emocionin dhe përjetimin estetik, zhvillon shijen për ta lexuar disa herë këtë vëllim poetik dhe vëllime e tekste të tjera letrare të arrira ku ka gjetur shtrirje kompozicionale kjo tematikë mijëvjeçare e letërsisë dhe e artit mjerëzor në përgjithësi. Në vëllimin e Edonës poezia shpalos ndjenjat, pritjet dhe ankthet e zakonshme të moshës së brezit të saj, por në këtë drejtim poetja dallon nga shumica e autorëve të brezit të ri, sepse ajo duket se nuk e ka pasur në plan të parë dëshirën për t’u rrëfyer, as për të kërkuar nga njerëzit përkrahje dhe trajtim më të dinjitetshëm të ndjenjës së dashurisë dhe të femrës në shoqëri dhe në proceset e saj. Autorja ka pasur qëllim të bëjë një poezi të bukur për dashurinë dhe për objektin e kësaj ndjenjeje, që lexuesi të përjetojë emocionin e vet, të lexojë librin e dashurisë së vet dhe të vlerësojë vetë për format e shfaqjes së dashurisë, për format e ndryshme të trajtimit dhe promovimit të saj shoqëror, për dramën dhe tragjedinë njerëzore që është pasojë e veprimeve që kinse fillojnë në emër të dashurisë dhe të një jete më të mirë, duke zënë në rrjetë të rinj të pasprovuar me vështirësitë njerëzore ose që duan vetëm të shpresojnë ashtu kot, për shkak të ekonomsë së dobët familjare. Autorja dhe lexuesi janë të vetëdijshëm se personazhe të tilla lëvizin dhe përjetojnë drama të thella shpirtërore kudo në botën e sotme moderne. Leximi i poezive të saj dhe i vëllimeve të saj poetike, një komunikim i tillë i tekstit me lexuesin, duhet t’i japin kurajë autores që të shkruajë edhe më shumë, duke e përsosur edhe më tej individualitetin dhe origjinalitetin e saj poetik.
Duke lexuar dhe duke analizuar poezinë e autores Edona Haliti, lehtë të vjen ndër mend konstatimi se kjo poete e re shpejt ka kapërcyer kufijtë e një gjendjeje kur shumica e të rinjve dhe e të rejave fillojnë t’u japin përgjigje në letër, nëpërmjet vargjeve, ëndrrave të tyre rinore dhe të fëmijërisë, dashurisë dhe këmbënguljes së tyre kryeneçe për të ndryshuar shumëçka në jetë, edhe kur balafaqohen me vrazhdësitë e realitetit dhe me dehumanitetin e jetës, dhe këto përgjigje në formë vjershe a tregimi nuk mund të arrijnë nivele artistike, por mbeten kujtime dhe ëndrra të një kohe të perënduar. Poetja Edonë ka shkuar më larg: ka bërë poezi për dashurinë, duke këmbëngulur artistikisht që kjo ndjenjë të marrë përmasën e duhur në të gjitha format e nevojshme të manifestimit dhe të përjetimit, të ketë dhe të përfshijë gjithnjë e më tepër hapësira sa më të mëdha të manifestimit të saj, duke arritur njëkohësisht, permes emocionit dhe figuracionit, që hapësira fizike, vetmia, largësia, xhelozia, urrejtja ose ndarja si dhe gjendje të shumta e të ndjeshme shpirtërore të ndërlidhen të gjitha së bashku, të kundrohen si pjesë dhe si çaste të dashurisë dhe aspak si pengesa për realizimin e nevojshëm shpirtëror të kësaj ndjenjeje, e cila mbizotëron në vëllimin “Merrmë me nisjen” dhe autoren e ka ndërlidhur me emrin e poeteve tona më të mira, të cilat me fantazinë e tyre krijuese dhe me poetikën e pasur dhe të larmishme arritën që poezisë sonë moderne t’i japin krijime mirë të realizuara dhe që komunikojnë në mënyrë efektive me lexuesin. Realizimi artistik dhe estetik i krijimeve të tilla, prandaj edhe i poezisë së poetes Edona Haliti, nuk është realizuar vetëm pse ato janë autore femra, por pse janë krijuese të mirëfillta. Ndjeshmëria e tyre më e madhe ndaj dashurisë dhe formave të reflektimit të saj njerëzor është argument i pakontestueshëm, por kjo ndjeshmëri dhe kjo qasje ndryshe ndaj dashurisë nuk realizohet pa fantazinë e nevojshme krijuese, pa gjetjen e duhur të fjalëve, të figurave dhe të shenjave të ndryshme që hyjnë brenda sistemit të komunikimit artistik, duke reflektuar kuptimësi dhe shumëkuptimësi qoftë si reflektim i drejtpërdrejtë nga teksti dhe vargu i poezisë, qoftë si konotacione që marrin shenjat nga zbërthimi që u bën lexuesi atyre.
Duke lexuar poezinë e Edonës, lexuesi preokupohet edhe nga një dimension tjetër i këtij vargu: nga përmasat e hapësirës së dashurisë, të cilat këtu janë të përtej kohës sonë dhe të përtej planetit tonë. Autorja në shërbim të realizimit të tematikës dhe idesë së saj, vë në lëvizje, përmes mjeteve artistike, jo vetëm objekte, shtëpi, rrugë, vetura, mjedise të ndryshme pushimi dhe rekreacioni ku janë takuar personazhet lirikë, por edhe yjet dhe trupa të ndryshëm qiellorë, galaktika dhe fenomene të tjera të universit si dhe vendos ndërmjet tyre raporte lidhjeje të veçanta, nëpërmjet figurës së personifikimit dhe analogjive të tjera figurative, kështu që teksti i saj për dashurinë merr përmasa më të fuqishme estetike, po ashtu edhe shkalla e emocionit ngrihet, pasuruar edhe me efekte tingullore të përsëritjeve të fjalëve, të ritmit dhe shpeshherë edhe të rimës. Autorja bën përqasje estetike edhe ndërmjet yjeve dhe personazheve të poezisë së saj:
“Me kokëfortësinë tënde s’ia dilja kurrsesi
Kishim dëshmitarë yjet por a s’të duken larg
Sapo të ktheja shpinën më kërkoje ti
Digju prush i njomë që të të hedh flakë”
(Poezia “Dhe ditët e dinë”, fq.40)
Vëllimi poetik “Merrmë me nisjen” komunikon hapur me lexuesin, i cili në poezinë e autores gjen emocionin e vet, persiatjet meditative dhe shumë gjendje shpirtërore të personazheve i lexon sikur të ishin të tijat, sepse autorja me fantazinë krijuese dhe më këmbënguljen për ta gdhendur vargun dhe për ta mbushur me emocion dashurie, ka arritur që lexuesit t’ia bëjë të lehtë leximin personal të tekstit dhe leximin e shenjave në tekst ashtu si i përshtatet gjendjes së tij shpirtërore dhe përjetimit jetësor, sepse lexuesi e ndërton sërish veprën e shkrimtarit, këmbëngul ta gjejë së paku një ditë, një moment ose një njeri të vetin aty, për arsye se shkrimtari frymon mes njerëzve dhe nga secili merr ngapak për të thurur vargun ose për të dhënë permes vargut nëntekste dhe mesazhe estetike.
Personazhet e kësaj poezie jetojnë larg njëri-tjetrit në pjesën më të madhe të kohës, por ata në çdo moment e ndiejnë praninë e njëri-tjetrit, bëjnë dialog të heshtur dhe janë në gjendje të betohen se me syrin e mendjes e shohin saktë njëri-tjetrin sado larg që të jenë, i ndiejnë sjelljet dhe gjendjet e tyre shpirtërore, sepse synojnë të realizojnë përjetimin dhe drejtpeshimi i tyre emocional rrënohet nëse nuk janë bashkë qoftë edhe në momentet imagjinative. Autorja për të skalitur mirë gjendje të tilla shpirtërore dhe vargje me plot emocion, sërish shfrytëzon shenja të kozmosit, siç janë qielli dhe shiu, sepse këto shenja janë pjesë e përjetimeve të dikurshme që ringjallen vazhdimisht:
“E di se sonte ende gjumi nuk të ka zënë
Sepse ti nuk fle netve kur bie shi
Në këto tkurrje të vetmisë pa hënë
Qepallat e lodhura më rrjedhin nostalgji
E di se sonte me shiun ty do të kujtohem
Befas në qiell do të rishfaqem si dikur
Ëndërrimeve për ty asnjëherë nuk zgjohem
As qepallave të lodhura zvarritjes pa udhë”
(Poezia “Le ta shuajë shiu”, fq.52)
Kjo formë e ligjërimit letrar dhe e komunikimit me lexuesin, ky dialog i heshtur që në të vërtetë është monolog dramatik i shpirtit të autores ose i gjendjes shpirtërore që përjeton personazhi lirik brenda një dashurie aq të çiltër, të ngritur në një shkallë të lartë shpirtërore me elemente të ndjesisë qiellore ose hyjnore- pra kjo formë që ka zgjedhur autorja për ta konceptuar mendimin dhe ndjenjën e dashurisë, dominon pothuajse në krejt vëllimin poetik “Merrmë me nisjen”, dhe këtë formë komunikimi autorja e ka avancuar duke krijuar një tekst të mbështetur shumë në shenja konkrete dhe domethënëse për tematikën që trajton, duke përdorur figura letrare që fjalës i japin vlera dhe nuanca të shumta semantike. Autorja shkruan duke konstatuar mungesën e prezencës së atij të cilit i kushtohet vargu. Zbërthen bukur momentet e takimeve, të bisedave, të heshtjes së ngarkuar me emocion dhe ndjesi të bukura, të çuditshme e herë-herë të pashpjegueshme. Mirëpo duhet konstatuar dhe duhet zbuluar në vargjet e kësaj poezie se kjo mungesë fizike aq është e mbushur shpirtërisht dhe artistikisht me personazhin që në çastin e shkrimit ndodhet larg, saqë lexuesi gjatë leximit vazhdimisht me syrin e mendjes i vëren pranë njëri-tjetrit të dy personazhet që e duan shumë njëri-tjetrin. Për t’i dhënë kuptim tekstit dhe emocionit, autorja sërish përdor shenja të kozmosit, përqasjen e tyre estetike me dashurinë e poezisë së saj, për të zëvendësuar në shpirt mungesën e tjetrit dhe për të lartësuar ndjenjën e dashurisë së saj, e cila, siç shihet, përfshin edhe përmasa qiellore dhe zhvillohet edhe atje ku nuk mund të shkohet. Mbase ky është çmimi që autorja i jep dashurisë së saj dhe këtu vërehet synimi artistik që dashuria të vazhdojë, të mos bjerë poshtë edhe nëse është i pamundshëm realizimi i tërësishëm i saj. Në të tilla raste të përshkrimit artistik, përqasjet estetike zbërthehen lehtë nga lexuesi, personazhet marrin emrat e trupave qiellorë që janë të dashuruar dhe rrinë pranë njëri-tjetrit:
“Dhe ti nuk vjen
Ditëve kur dielli del me hënën për një kafe
Atje në galaktikë ku ka bulevarde të mëdha
I mashtrojnë yjet i mbledhin i bëjnë bashkë
I dërgojnë në salla sportive për një lojë
Që mbahet në Kashtën e Kumtrit.”
(Poezia “Ti nuk je”, fq.54)
Çastet e mungesës dhe të vetmisë e trazojnë shpirtin e personazhit lirik, por autorja këmbëngul në arritjen e përsosmërisë së ndjenjës së dashurisë, pjesë të së cilës janë edhe momentet e vështira emocionale, nervozizmi, pagjumësia, pastaj ndarjet e përkohshme ose të përhershme, edhe inati ose fillimi i urrejtjes ndaj njëri-tjetrit, sepse të gjitha këto gjendje në poezi dhe në jetë janë të tejkalueshme për shkak të forcës së ndjenjës së dashurisë:
“E sërish i lutem qiellit edhe për një takim
E ti harron kohën dhe më vonohesh sërish
Pastaj inatosem, mes hapash mendoj s’je fati im
Edhe pse s’të flas, djallin, prapë të dua dyfish”
(Poezia “Konflikte çastesh”, fq.15)
Poetja e re Edona Haliti ka arritur të shkruajë një tekst të pasur me figuracionin e duhur, ka arritur të avancojë efektin estetik dhe stilistik të vargut, i ka ofruar lexuesit shtresa të ndryshme të ndërtimit të thënies dhe të domethënies letrare, duke arritur kështu një shkallë të nevojshme të komunikimit me lexuesin e vet, i cili duke lexuar dhe përjetuar poezinë, duke lexuar dhe deshifruar shenjat e tekstit, është i lirë të bëjë komente të ndryshme për domethënien dhe kuptimësinë e shenjave, të figurave, të ideve dhe të nënteksteve që mund të dalin nga përjetimi i leximit, nga gjendja shpirtërore gjatë leximit dhe nga konteksti i arkitekturës së tekstit ose të shtresave të ndryshme të tij.
Kritiku letrar E.D. Hirschur, duke komentuar domethënien dhe kuptimin e tekstit letrar, shkruan: “Domethënia është ajo që përfaqësohet nga teksti, pra ajo është çka ka dashur të theksojë autori me anë të përdorimit të shenjave të veçanta, pra ajo që e përfaqësojnë shenjat. Kuptimi, në anën tjetër, emërton ndërlidhjen ndërmjet domethënies dhe një personi, koncepsioni apo një situate si dhe njjë korpusi vlerash që sundojnë në një kohë që në mënyrë të qartë dëshirojnë ta shohin veprën me kontekste të tjera”( Nga vepra “Teori dhe kritikë moderne”, zgjedhur e përshtatur nga autori Nysret Krasniqi, SHB “Rozafa”, 2008, fq.285).
Pas leximit disaherësh të vëllimit “Merrmë me nisjen” të poetes Edona Haliti, kam lexuar një numër veprash të autorëve tanë dhe të tjerë që trajtojnë temën e dashurisë, këtë temë mijëvjeçare dhe të përjetshme të letërsisë, ndër të cilat po përmend romanet e Kadaresë “Mjegullat e Tiranës”, “E penguara”, “Aksidenti”, romanin “Një grua nga Tirana” të Helena Kadaresë, romanin “Ditari i një murgeshe” të Çlirim Hoxhës dhe romanin “Kënga e fundit” të autorit të mirënjohur amerikan Nicholas Sparks. Duke krahasuar përmbajtje dhe personazhe të këtyre veprave në prozë, lexuesi arrin në përfundimin se secili nga këta autorë i ka dhënë dashurisë përkushtimin dhe çmimin e vet, duke e trajtuar dhe duke e konceptuar këtë ndjenjë si një gjendje shpirtërore, emocionale dhe psikologjike që lartësohet estetikisht si vlerë mbi shumë gjendje dhe situate të tjera të kontekstit shoqëror dhe politik të kohës. Brenda shkrimit tim për poezinë e poetes së re Edona HalitiI, i përmenda këto vepra të autorëve të njohur të prozës, për të ballafaquar vlera, personazhe dhe praktika të ndryshme letrare, për të ballafaquar edhe përjetimet e mia gjatë leximit të këtyre veprave dhe të vëllimit poetik “Merrmë me nisjen” të poetes Edona Haliti dhe për të konstatuar se kjo krijuese e re me këtë vepër ka arritur të dallohet nga shumica e krijuesve të brezit të saj për talentin, fantazinë, përkushtimin dhe durimin krijues, por edhe për qasje të matur në ndërtimin stilistik dhe estetik të poezisë, brenda së cilës i ka dhënë mjaft hapësirë edhe refleksionit meditativ, për të arritur kështu një ndërkomunikim të mirë me lexuesin, më tepër sesa shumë autorë që kanë një prodhimtari të botimeve shumëfish më të madhe se ajo. /2L ONLINE/