“Gjykata ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe do të ndiqen penalisht ata individë që kanë bërë krime”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatisë.
Ellis ka deklaruar se në çdo situatë konflikti, përqëndrimi duhet të jetë te individi, është përgjegjësi individuale. “Kjo nuk është gjykatë që do ta ndjek penalisht shtetin e Kosovës, nuk e ka këtë mandat. E gjithë kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe do të ndiqen penalisht ata individë që kanë bërë krime. Këta individë, qofshin ata shqiptarë, serbë, kroatë apo kushdo tjetër nga luftërat e ish Jugosllavisë duhet të vihen para drejtësisë”, ka theksuar ai për REL.
Duke e përqafuar idenë e drejtësisë ndërkombëtare, sipas tij, edhe Kosova gjithashtu duhet të pranojë se nëse ka individë të tillë që kanë kryer krime, është absolutisht jetësore që ata të sillen para drejtësisë. “Dhe nëse Kosova mund ta bëjë një gjë të tillë, përmes kësaj gjykate të posaçme, ju siguroj se kjo do të shihet si një hap madhor në sytë e faktorit ndërkombëtar, e madje edhe në sytë e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
“Edhe pse në Kosovë është shënuar përparim i jashtëzakonshëm, ekziston një vlerësim i përgjithshëm se sistemi gjyqësor është ende i dobët dhe është mbase më së miri të krijohet një gjykatë e specializuar që do të merret me çështje specifike. Dhe e dimë se ka prova të mjaftueshme për të pandehur se gjykata duhet t’i ndjek këto raste. Mendoj se ky është një hap pozitiv për Kosovën, dhe aplaudoj Kosovën për çfarë ka bërë në këtë drejtim. Është në pajtueshmëri me detyrimet që ka dhe e gjithë kjo do të shihet pozitivisht në rrafshin ndërkombëtar”, ka deklaruar Ellis.