Këto ditë, pikërisht në prag të shënimit të 10 vjetorit të themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, profesori i artit në UKZ Ahmet Ibrahimi organizoi dhe hapi ekspozitën personale ku gjithçka frymon atdhetarisht!
Ekspozita i kushtohet figurave të ndritura të kohës dhe personaliteteve të artit, muzikës dhe politikës kosovare, të cilët i kanë dhënë kontribut të çmuar kombit shqiptar, gjatë viteve të rezistencës në forma të ndryshme me profesionet e tyre.
Dashuria për atdheun, bëri që profesori i Artit Ahmet Ibrahimi të frymojë atdhetarisht përmes shprehjes figurative. Ai përveç vlerave artistike të shprehura përmes grafikës, vendosi t’i përkushtohet vizatimit të portreteve. Ai ka portertuar një numër të konsiderueshëm krijuesish letrarë. Ndërkaq, krejt spontanisht, por me ndjenjën e mirënjohjes dhe falënderimit për personalitete që i dhanë krahun, udhëhoqën dhe ndihmuan rezistencën dhe luftën për liri të Kosovës, filloi të punojë portrete personalitetesh. Vizatoi portrete personalitetesh historike, heronj, politikanë e ushtarakë, prijës të lëvizjes paqësore dhe asaj ushtarake të luftës për liri e pavarësi; personalitete të kulturës, të artit e të letërsisë që identifikojnë vendlindjen dhe atdheun.
Ekspozita do të jetë e hapur gjatë gjithë javës. /2LONLINE/