Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe ndërhyrja e saj ushtarake në Ukrainën Lindore, paraqesin sfidën më të madhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Fatmir Z. Arifi
Ky veprim i Rusisë, në mënyrë të thukët, ka testuar së tepërmi kapacitetet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, e njohur si doktrina transatlantike. Përpos disa sanksioneve ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, pjesa tjetër e veprimit mbeti deklarative. Në thelb kjo tregon se BE-ja nuk ka një strategji dalëse për të parandaluar agresionin e Rusisë, edhe sikur të paraqitet kundër ndonjë shteti tjetër në të ardhmen.
Tanimë është një fakt i kryer se pas triumfit të madh në Krime, politika e jashtme ruse është bërë më agresive dhe më kërcënuese përballë paqartësisë politike të BE-së. Përveç rajoneve të tjera si Azia Qendrore e Lindja e Mesme, nga kjo politikë është prekur drejtpërsëdrejti edhe Ballkani.
Raportet e Rusisë me disa shtete të Ballkanit si: Serbia, Republika Sërbska në Bosnjë dhe Hercegovinë, IRMJ, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria, përkundër paqartësive dhe mungesës së theksuar të transparencës, ato po shkojnë duke u konsoliduar. Këto raporte kanë vënë në pikëpyetje strategjinë amerikane dhe garancitë e dhëna për sigurinë dhe paqëtimin e Ballkanit. Shikuar përmes këtij prizmi, strategjia, guximi dhe gatishmëria e Putinit për të ri-krijuar dhe ruajtur një sferë të ndikimit përtej kufijve të afërt të Rusisë, nuk duhet nënvlerësuar në asnjë rast.
Duke e pasur parasysh që në rajonin e Ballkanit beteja ideologjike e Luftës së Ftohtë ende vazhdon të jetë vijë ndarëse në mes Perëndimit dhe Lindjes, strategjia e Federatës Ruse është e dyfishtë.
Përderisa në Ukrainë, Rusia, me aneksimin e Krimesë, përpos tjerash, vendosi “vijën e kuqe” parandaluese të shtrirjes së doktrinës transatlantike, në Ballkan, duke e pasur parasysh që vendimet në kuadër të BE-së dhe NATO-s, merren me konsensus të plotë, ajo synon ta çajë doktrinën transatlantike, duke i përdorur disa shtete sllave si kalë troje brenda strukturave euro-atlantike.
Prandaj edhe përllogaritjet e Rusisë që i bën në raport me Ballkanin janë të ndryshme nga ato të aplikuara në vendet e tjera në hapësirën ish-sovjetike. Për shembull, zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk është kundërshtuar në atë mënyrë siç janë kundërshtuar Marrëveshja e Asocimit për Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Armeninë. Në të vërtetë, zgjerimi i BE-së në Ballkan mund t’i ndihmojë edhe Rusisë, nëse pranimi i shteteve mike të Rusisë pengon aftësitë e BE-së për të miratuar qëndrime të përbashkëta që janë në kundërshtim me interesat e Rusisë.
Marrëdhëniet e disa shteteve sllavo-ortodokse të Ballkanit me Rusinë dhe aleancat ushtarake-politike dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme janë ende pjesë e rrëfimeve kombëtare në këto shtete, të cilat kohë pas kohe po ripërtërihen përmes marrëveshjeve, qofshin ato ekonomike, politike, ushtarake, kulturore apo formash të tjera në dukje.
Padyshim, të paktën që nga fundi i shekullit XVIII, kur përshtrirja e kufijve të Perandorisë Ruse për herë të parë arriti deri në Detin e Zi, Rusia ka ndjekur një politikë të jashtme aktive në Ballkan. Në këtë periudhë, më saktësisht në vitin 1783, Rusia aneksoi Krimenë, ndërsa Gjeorgjia në atë kohë ishte vënë në mbrojtje të Rusisë.
Prioriteti kryesor strategjik i Rusisë në rajon ishte për të siguruar qasje në Mesdhe përmes Detit të Zi, duke synuar dobësimin e kontrollit osman në grykën e Bosforit dhe ngushticën e Dardaneleve.
Në kuadër të kësaj strategjie, Rusia ndihmoi dhe mbështeti kryengritjet lokale kundër sundimit osman, sidomos të popujve sllavo-ortodoksë dhe krijoi aleancën sllavo-ortodokse, ndërkaq me përpjekje të përbashkëta diplomatike, hapi rrugën kryesore për avancimin e interesave të saj në këtë hapësirë. Duke i lidhur fijet e interesave strategjike me ato etno-kulturore, ajo, jo vetëm që e shikonte veten, por shikohej edhe nga të tjerët si mbrojtëse e natyrshme e shteteve të pavarura sllave që u formuan pas tërheqjes së Perandorisë Osmane gjatë mesit të shekullit XIX.
Rëndësia e këtij roli historik të Rusisë në kuptimin e statusit të saj si fuqi e madhe, ka qenë dhe është një temë e përsëritur e përfshirjes së saj në Ballkan, si dhe karakteristikë e gjeopolitikës së saj tradicionale, të cilën studiuesi Stefan Kotkin e ka emëruar si “Gjeopolitika e përhershme ruse”.
Në manifestin e tij politik, Car Nikolla II, lidhur me vendimin e Rusisë për të hyrë në luftë në mbrojtje të Serbisë, bëri një lidhje në mes nderit dhe statusit të saj si fuqi e madhe. Ai pati deklaruar se Rusia është e lidhur ngushtë me popujt sllavë me anë të besimit dhe gjakut dhe ajo është besnike ndaj traditave të saj historike, andaj nuk mund të rrijë indiferente ndaj fatit të tyre, duke shtuar se Rusia duhet ta mbrojë nderin, dinjitetin, integritetin dhe pozitën e saj në mesin e fuqive të mëdha.
Gjatë periudhës sovjetike, në terma relativë, ndikimi rus në Ballkan ishte zbehur pjesërisht. Kjo zbehje e influencës kishte ndodhur për shkak se udhëheqja sovjetike në këtë kohë pretendimet e saj për një rol kryesor i kishte bazuar në parullën e “internacionalizmit proletar” si ideologji dhe jo në besimin apo përkatësinë etnike. Por, fundi i komunizmit rriti interesin për të rindërtuar të menduarit e epokës cariste të Rusisë, duke përfshirë edhe idenë e një përgjegjësie të veçantë ndaj Ballkanit, e lidhur ngushtë me nocionet e madhështisë kombëtare dhe origjinës etnike.
Tani më tendencat për t’i përdorur faktorët etnikë dhe kulturorë sidomos në Ballkan përbëjnë boshtin kurrizor të strategjisë së politikës së jashtme ruse, që bazohet në euro-aziatizmin dhe në rrymat e mendimit sllavofil.
Federata ruse e ka të qartë se mosmarrëveshjet etnike në rajonin e Ballkanit janë prirje të forcave historike dhe nuk fashiten lehtë, pavarësisht perceptimit në pamje të parë se këto prirje kanë pushuar përkohësisht pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Andaj, në interesin e saj ajo po punon me përkushtim në riformatimin e aleancës ortodokse sllave, e cila mbetet një rrugë e sigurt për përmbushjen e strategjisë së saj.
Rusia në mënyrë të qartë i sheh shtetet sllave në Ballkan si një aset të çmueshëm dhe të rëndësishëm në këtë luftë politike, duke përforcuar kështu pretendimet e saj për një rol udhëheqës në rajon dhe dëshirën për të ekuilibruar apo penguar programin e integrimeve euro-atlantike për rajonin.
Në kontekstin e kësaj ambicieje, dimensioni ideologjik për Putinin është i një rëndësie të veçantë, i sistemuar si kurrë më pare, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Rusia ka edhe arsye krejtësisht të prekshme për sa i përket Ballkanit si një zonë me interes strategjik. Kjo përfshin praninë tregtare në rritje në ekonomitë e disa vendeve të Ballkanit, ku ajo ka përfituar nga programet e privatizimit, duke u bërë një investitor dhe partner i rëndësishëm tregtar.
Blerja e sektorëve të energjetikës dhe investimet ruse në këto segmente, kanë siguruar lidhje thelbësore në mes elitës shtetërore ruse dhe atyre të shteteve të Ballkanit. Një nga vlerësimet më të rëndësishme për Rusinë, është roli që rajoni luan në sistemin energjetik evropian, si një rrugë transiti për pjesën tjetër të Evropës. Një tjetër prioritet që e plotëson të parin është sprova për të kultivuar aleanca të besueshme dhe të gatshme për të mbështetur qëndrimet e saj diplomatike në forumet e rëndësishme ndërkombëtare.
Ndaj dhe përpjekjet për të nxitur marrëdhënie më të ngushta kanë qenë më të dukshme me vendet që kanë pasur lidhje më të dukshme dhe të forta historike e kulturore me Rusinë, si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Republika Sërbska në Bosnjë e Hercegovinë dhe IRMJ. Por, edhe në Kroaci dhe Slloveni, Rusia ka qenë në gjendje për të çuar përpara interesat e saj dhe të sigurojë mbështetje politike të nivelit të lartë për elemente të rëndësishme që shtyjnë agjendën e saj në Ballkan. Jashtë kësaj agjende dhe rikonsolidimit të marrëdhënieve nuk ka mbetur as Greqia.
Qasja e favorshme e Rusisë është se ajo nuk mbështetet në masë të madhe në një instrument të vetëm të politikës, për të arritur qëllimet e saj. Instrumentet që ajo përdor janë të ndryshme, duke filluar nga ai energjetik, ekonomik, politik, diplomatik, ushtarak dhe në çështjet kulturore të popujve sllavë të rajonit. Këto instrumente përdoren shpesh edhe në mënyrë të kombinuar dhe përzierja e tyre është përshtatur me kërkesat e çdo tregu kombëtar.
Për dallim nga rajonet e tjera, në Ballkan Federata Ruse është mbështetur në konceptin e fuqisë së butë. Kjo rëndom ndodh sepse pa një kufi të përbashkët ose një diasporë të konsiderueshme etnike-ruse, taktikat shtrënguese që u përdorën në Gjeorgji dhe Ukrainë nuk janë të zbatueshme në Ballkan. Kështu që në vend të kësaj, Rusia është përqendruar në iniciativa të projektuara për të gjeneruar stimuj ekonomik në një nivel të lartë.
Këtu duhet përjashtuar vetëm territorin e Serbisë, respektivisht në Nish, ku Moska ka dislokuar qendrën për shërbimin e saj inteligjent për Ballkanin, dhe po synon të dislokohet ushtarakisht me bazë ushtarake edhe në Luginë të Preshevës. Rusia dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje ushtarake pesëmbëdhjetë vjeçare, që përfshin shkëmbimin e informacionit të inteligjencës, oficerëve ushtarakë, blerje armatimi nga Moska dhe stërvitje të përbashkëta. Po ashtu, Serbia ka statusin e vëzhguesit në Organizatën e Traktatit për Siguri Kolektive, një institucion që vepron si kundërpërgjigje e Rusisë ndaj NATO-s. E gjithë kjo gamë e gjerë kundrejt Strategjisë Transatlantike është një indikator domethënës se Rusia ka për synim ta fusë në veprim skenarin e Kubës të vitit 1962 brenda një periudhe dhjetëvjeçare.
Padyshim, Rusia ka të drejtë si çdo vend tjetër për të ndjekur interesat e saj kombëtare, por qëllimet dhe metodat e saj në Ballkan dhe gjetiu paraqesin një sfidë të veçantë ndaj vlerave demokratike e sidomos ndaj rregullave e institucioneve të dala nga parimet e Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian në koordinim me SHBA-të duhet ta hartojë dhe ta ofrojë për miratim një strategji për Ballkanin që pasqyron interesat e përbashkëta evropiane, kryesisht duke nxitur përmbushjen e vlerave dhe normave themelore për një projekt më të gjerë të integrimit Euro-Atlantik.Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet standardit të qeverisjes, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit të sektorit të energjetikës konkurruese si dhe bashkëpunimin më të ngushtë dhe sanksionimin e shteteve që shkelin këto norma. Qëllimi primar duhet të jetë për të garantuar progresin demokratik të rajonit dhe parandalimin e metodave të “putinizmit”, të cilat po importohen dalëngadalë në Evropë nëpërmjet derës së pasme.
Ndikimi rus në Ballkan komplikon tashmë aftësitë e BE-së për të zhvilluar politika të përbashkëta të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë energjetike dhe për të trajtuar sjelljen e politikës së jashtme ruse. Ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, në një prononcim të tij përshkroi Bullgarinë si “Kali i Trojës” për interesat e Moskës në Bruksel. Ky deklarim i tij duket se ka disa baza të forta, pasi ndikimi pro-rus brenda partisë socialiste bullgare e ka bërë Bullgarinë, përkundër asaj që është anëtare e BE-së, të ngurrojë për të marrë në konsideratë sanksionet e rënda ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë. Një qëndrim të ngjashëm me Bullgarinë ka mbajtur edhe Greqia dhe Sllovenia, edhe pse kjo e fundit, tradicionalisht ka qenë një vend jo rusofil, por për shkak të faktit që ajo ka krijuar lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë.
Këto probleme rrezikojnë të përforcohen në qoftë se Serbia hyn në BE me shtrirjen e saj aktuale të politikës së jashtme, si një aleat besnik dhe partner strategjik i Rusisë. Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka deklaruar dhe ka mbajtur qëndrim institucional se ai dëshiron që Serbia të bëhej “shtyllë kurrizore e Rusisë në Europë”. Në këtë rast ai ka mbajtur premtimin e tij për të mbështetur interesat ruse, duke refuzuar të zbatojë detyrimin e Serbisë, si një kandidat i mundshëm i BE-së, në një vijë me vendimin e kolektiv të BE-së, për të mbështetur integritetin territorial të Ukrainës dhe zbatimin e masave të sanksioneve kundrejt Rusisë.
Po ashtu edhe udhëheqja e Republika Sërbskës mbajti po të njëjtin qëndrim. Ajo përdori veton e saj për të parandaluar Bosnjën e Hercegovinën nga zbatimi i masave të BE-së.
Duke pasur parasysh natyrën e gjerë dhe të pakufizuar të raporteve ruso-serbe, është e qartë se BE do të ketë probleme të konsiderueshme dhe çështje të rëndësishme për të trajtuar përpara se pranimi i Serbisë të mund të konsiderohet real. Brukseli nuk duhet ta perceptojë politikën serbe si një politikë të një vendi neutral përderisa qeveria serbe asnjëherë nuk ka pasur hezitim për t’i vënë interesat e Evropës përpara atyre të Rusisë.
Nga kjo politikë e Federatës Ruse dhe kuajve trojanë të saj, Bashkimi Evropian do të ketë konsekuenca dhe implikime të dukshme. Në rastin më të keq, ambiciet për një Rusi të Madhe, të shfaqura nga presidenti i saj Putin, si një e drejtë për t’i kthyer tokat e populluara nga rusët etnikë në mëmëdheun e tyre, qoftë edhe me forcë, kanë filluar që t’i rindezin veprimet strategjike për një Serbi të Madhe. I ashtuquajturi, miti i një kombi të “ndarë padrejtësisht”, duke e marrë si shembull rastin e Rusisë nga “katastrofa gjeopolitike”, e kolapsit të Bashkimit Sovjetik, është bërë një nga temat më të rëndësishme në elitat politike dhe akademike serbe, të cilat po e përhapin në masat e gjera popullore, e sidomos te minoritet serbe jashtë territorit të Serbisë.
Rreziku që Serbia mund të joshet për të kopjuar qasjen e Rusisë tani më është bërë evidente sidomos pas forcimit të lidhjeve të saj më të ngushta ushtarake me Rusinë, duke inkurajuar besimin se Moska mund të mbështesë në mënyrë aktive Beogradin në rast të ndonjë konflikti në të ardhmen, pas dislokimit në Nish dhe Luginë të Preshevës.
Kroacia, Mali i Zi dhe IRMJ janë bukur shumë të ekspozuara dhe të kërcënuara nga kjo strategji e ringjallur serbomadhe. Por shqetësimi është më i prekshëm në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Republikën e Kosovës, ku Rusia ka përdorur ndikimin e saj në favor të Serbisë në hartimin dhe më vonë në interpretimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare: atë të Dejtonit dhe Planin e Ahtisarit.
Që të dy këto marrëveshje, minoritetit serb, si në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu dhe në Republikën e Kosovës i japin të drejtën e vetos, e cila po përdoret për të parandaluar qeverinë federale të Sarajevës dhe qeverinë e Prishtinës për të marrë qëndrime strategjike, qofshin ato ndryshime kushtetuese apo vendime në kuadër të përafrimit më Perëndimin. Pra, të dyja këto marrëveshje janë një kallo e favorshme, të cilat aq sa janë në duart e Serbisë, po aq janë edhe në duart e Rusisë.
Në një të ardhme të parashikuar, skenari Gjeorgjisë dhe i Ukrainës do të jetë në tavolinën e shegertit rus në Ballkan.