/2L ONLINE/ – Komiteti i Zhvillimit Ekonomik dhe Agrikulturës (KZHEA) ka miratuar raportet e punës së drejtorive përkatëse për periudhën janar-mars të këtij viti, duke i nxitur ato që të vazhdojnë me këtë ritëm, për të tërhequr sa më shumë investime e subvencione për sektorët e ekonomisë dhe të bujqësisë, në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror e familjar.
Jehona Hyseni, kryesuese e KZHEA, ka thënë se puna e këtyre dy drejtorive ndikon në zhvillimin ekonomik dhe bujqësor, që janë fusha me mundësitë mëdha edhe për punësim, duke kërkuar që në grantet e bujqësisë të përfshihen sa më shumë fermerë që është e mundur.
Raportin për bujqësi e ka paraqitur drejtori Ramiz Ramadani, i cili ka thënë se gjithë stafi i kësaj drejtorie është angazhuar në kompletimin e projektet e parapara për vitin 2015 dhe i ka dorëzuar ato në Ministrinë e Bujqësisë. Ai beson se fermerët e Gjilanit, sivjet do të përfitojnë subvencione e grante mbi 1milion e 140 mijë euro.
Ramadani ka prezantuar shifrat edhe për investimet e kryera në këtë tremujor, siç ishte projekti i shpërndarjes së 15 spërkatëse të pemëve, ndërkaq në përfundim e sipër janë procedurat për disa programe të tjera, ku kanë aplikuar fermerët.
Gjilani është njëra prej komunave që është përzgjedhur edhe në programin e EURED-it për zhvillimin e agrobiznesit, ku do të përfitojë një numër i fermerëve, ka thënë Ramadani, i cili pastaj është përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve të KZHEA, Bashkim Shala, Agron Shurdhani e Hevzi Xhelili, rreth çështjeve të bujqësisë.
Ndërkaq, raportin për Zhvillimin Ekonomik e ka paraqitur drejtori Ismail Januzi, i cili ka thënë se gjatë kësaj periudhe, interesim i veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me donatorët, qeverinë, Agjensinë për Zhvillim Rajonal (RDA) si dhe organizata tjera lokale, me qëllim të ngritjes së nivelit të zhvillimit ekonomik lokal në komunë, përmes përkrahjes së biznese të vogla e të mesme, që të aplikojnë në programet e ndryshme të granteve.
Zyra për Eficencë të Energjisë ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për financimin e aktiviteteve në vlerë prej 40.000 euro, për implementimin e strategjisë për energji, që financohet nga GIZ dhe SDC.
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ka aplikuar në programin “Soft Loan Projekt” që përfshin infrastrukturën publike, me fokus të veçantë kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të zeza.
DZHE gjatë këtij tremujori ka bashkëpunuar me Agjensinë për Zhvillim Rajonal (RDA), Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) dhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane, për organizimin e konferencës së donatorëve, e cila është mbajtur me 4 mars, ku 11 komuna të regjionit kanë paraqitur para komunitetit ndërkombëtar projektet e tyre.
Komuna e Gjilanit ka aplikuar me katër projekte – ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, vlera 14,700,000 euro, ndërrimin e gypave kryesor të ujësjellësit dhe rrjetit shpërndarës, vlera 4,986,000euro, ndërtimin e parkut industrial në lokacionin “Gllama” , vlera 2,170,020 euro dhe ndërtimin e objektit të Administratës Komunale, vlera 2,564,452 euro, ka thënë Januzi.
Ai ka prezantuar edhe programet tjera, duke nënvizuar atë me GIZ-in, për hartimin e planit komunal për menaxhimin e mbeturinave, që do të fillojë si pilot-projekt në shkolla dhe institucione komunale, pastaj projektin për tregun e gjelbër, projektet e BE-së në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar, projektet e Komisionit Evropian dhe të donatorëve tjerë. /2L ONLINE/