Kompania e Kërkim Shpëtimit e Regjimentit të Mbrojtjes Civile është duke ndjekur trajnimin “Alpinizëm Ushtarak” i udhëhequr nga ekipi mobil i instruktorëve të shkollës verore të Italisë.
Trajnimi është duke u realizuar në Kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozotin dhe në lokacione të ndryshme që u ofrojnë mundësi pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që të mësojnë teknika për kalimin e zonave malore me shkëmbinjtë, ngjitje në sipërfaqe shkëmbore dhe lëshimin me litarë nga lartësitë e ndryshme.
Për të parë nga afër realizimin e këtij trajnimi sot tek vendi i quajtur Guri i Plakës qëndruan për vizitë zëvendës ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Shemsi Syla, zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral major Enver Cikaqi, Ambasadori i Italisë në Kosovë, z.Antonello De Riu, zëvendës komandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Luca Piperni, zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare, kolonel Shaip Haziri si dhe oficerë të lartë të FSK-së dhe përfaqësues të Ambasadës Italiane dhe KFOR-it.
Qëllimi i trajnimit është që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të ngritin kapacitetet profesionale, duke përfituar nga përvoja e eksperteve italian në këtë fushë, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur në përballje me fatkeqësi malore duke ju përshtatur vendit, kohës dhe kushteve atmosferike. /2LONLINE/