Nga: Festim SHKODRA
Më 05.03.2022 në Prishtinë u mbajt Olimpiada Matematike e Kosovës – OMK 2022, për nxënësit e klasave IX-XII. Garuesit nga Ekipi i Komunës së Gjilanit e vazhduan traditën e sukseseve, ata në një konkurrencë të fortë arritën suksese tejet të larta: një vend të parë, një vend të dytë, dy vende të treta dhe një vend të katërt.
Të shtunën e kaluar më 05.03. 2022, në hapësirat e Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë, u mbajt me sukses Olimpiada e 14-të Matematike e Kosovës – OMK 2022, për nxënësit e klasave IX-XII.
Kjo olimpiadë u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (ShMK) dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT-it). Në OMK 2022 morën pjesë rreth 200 nxënës të përzgjedhur nga Olimpiadat Matematike Komunale të organizuara në pothuajse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Olimpiada u mbajt me standarde tejet të larta, në kushte komode si dhe pati një organizim të shkëlqyer si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë profesional. Shumica e detyrave në olimpiadë ishin origjinale.
Pas një kontrollimi cilesor të punës së garuesve u bë shpallja e shpejtë e rezultateve preliminare, si dhe atyre përfundimtare më 08.03.2022.
Në një konkurrencë tejet të fortë ekipi i Komunës së Gjilanit arriti të fitojë: një vend të parë, një vend të dytë, dy vende të treta dhe një vend të katërt.
Pra 5 garues nga ekipi i Gjilanit, u bënë pjesë e 20 garuesve më të sukseshëm të OMK 2022, që arritën të sigurojnë të drejtën e hyrjes në testin e 14-të përzgjedhës – TST 2022, që u mbajt sot më 05.03.2022, në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë. Ky test shërben për përzgjedhjen e ekipit 6 anëtarësh që do të përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën e 63-të Ndërkombëtare të Matematike – IMO 2022, që sivjet do të mbahet më 06 – 17. 07. 2022 në Oslo të Norvegjisë, ku Kosova merr pjesë për herë të 12-të në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.
Nga TST 2022 do të përzgjedhet edhe ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Olimpiadën Evropiane të Matematikës për Vajza – EGMO 2022, e cila do të mbahet në qytetin Eger në Hungari, më 06 – 12.04.2022.
Po ashtu, nga këto gara do të përzgjedhen edhe nxënësit nga klasa IX, që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e Tretë Matematike Kosovë – Shqipëri – KAMO 2022, e cila do të mbahet në muajin korrik në vitin 2022.
Nxënësit fitues nga ekipi i Komunës së Gjilanit, në OMK 2022, janë:
Klasa IX
Besnik Haziri (kl.VIII – SHMU “A.Ramadani” Zhegër) – vendi i I
Yll Lipovica (kl.IX – SHMU “S.Hallaçi” Gjilan) – vendi i III
Klasa XI
Lum Jerliu (kl.XI – Gjimnazi Natyror “Xh. Ahmeti” Gjilan) – vendi i II
Olt Imeri (kl.XI – Gjimnazi Natyror “Xh. Ahmeti” Gjilan) – vendi i IV
Klasa XII
Yllkë Jashari (kl.XI – Gjimnazi Natyror “Xh. Ahmeti” Gjilan) – vendi i III
Urime dhe suksese në garat e mëtejme, fituesve nga ekipi i Gjilanit në OMK 2022 si dhe të gjithë fituesve tjerë të OMK 2022! /2LONLINE/