“Me ftesë nga kreu i shtetit të Shqipërisë z. Ilir Meta, u takuam së bashku prapë e gjithë rinia shqiptare nga Çamëria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Maqedonia, Republika e Kosovës dhe Shqipërisë”.
Kështu ka thënë Edona Musliu, themeluese e Nismës së Rinisë Mbarëshqiptare, për të shtuar se më 2016, kur kishte filluar këtë iniciativë me rininë mbarëshqiptare në Prishtinë, nuk mendonte se do të forcohet kaq shumë ky zinxhir rinor. “Por sot, pas 2 vitesh, i shoh këta të rinj me të njëjtin entuziazëm si në fillim, por me ndryshimin se të gjithë janë më të lidthur me njëri-tjetrin dhe gjatë kësaj rruge ka pasur shumë procese të cilat kanë rezultuar me progres të mëdha”, thotë ajo për 2LONLINE.
Musli shprehet se nga takimi me presidentin Meta, si gjithmonë ka përsëritur pakënaqësinë e saj rreth neglizhimit të Luginës së Preshevës nga institucionet shqiptare. “Kërkuam që këto kritika të merren parasysh. U premtua se do punohet më shumë në këtë drejtim dhe se shumë shpejt Republika e Shqipërisë, respektivisht presidenti Ilir Meta do organizojë një konferencë për një definim dhe zgjidhje të problemeve të rinisë shqiptare”, thotë Edona Musliu, për të shtuar se “Tradita vazhdon, amaneti vazhdon, rinia mbarëshqiptare kështu e bashkuar drejt kauzës së madhe!”.