Të shtunën në Gjilan, zhvillohet derbi lokal, Gjilani – Drita, ndeshje kjo e javës së 35-të e Superligës së Kosovës në futboll.
Lidhur me këtë ndeshje është prononcuar edhe lojtari i Gjilanit, Edi Basa, autor i një goli dhe një tjetër të asistuar nga ndeshja e fundit derbi përballë Dritës, e i cili është shprehur optimist në prag të një tjetër dueli ndaj po këtij rival lokal.
Futbollisti i krahut ka potencuar se skuadra është gati dhe se do të japin maksimumin të gjithë së bashku për të dalë me kokën lart nga ky takim.
“Ne jemi gati për ndeshjen e nesërme dhe jemi të gatshëm t’u tregojmë tifozëve që do të dhurojmë gjithçka për ta. Është e rëndësishme për ne dhe klubin që ta fitojmë këtë ndeshje, pasi që në këtë mënyrë ne i garantojmë vetës qëndrimin në Superligë pa barazh. Synojmë ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për këtë do të japim më tepër se maksimumin”, ka thënë Basa.
Ai tha se e di rëndësinë e kësaj ndeshje dhe motivi është më i madh se në ndeshjet e kaluara dhe se do të japin maksimumin dhe nuk kanë se çfarë të kursehen.
“Në çdo ndeshje ju dëshironi të jepni më shumë, por kjo ndeshje të detyron të japësh edhe më shumë për klubin dhe tifozët. “Shpresoj të shënoj serish, mirëpo e rëndësishme është të fitoj ekipi. Nëse shënoj do jem i lumtur pasi e ndihmoj ekipin të fitoj dhe çdo kush do të jetë i lumtur. Nesër të japim maksimumin kjo është më e rëndësishmja”, ka thënë lojtari i skuadre kuq e bardh, Edi Basa, një ditë para ndeshjes së skuadrës së tij, ndaj Dritës.
Përndryshe, dueli ndërmjet Gjilanit dhe Dritës zhvillohet të shtunën në stadiumin ndihmës në Gjilan me fillim nga ora 15:00. /2LONLINE/