Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë (DSHPE), në Viti, ka lëshuar apelin e radhës për parandalimin e zjarreve fushore dhe zjarreve të tjera.
“Qytetarë të komunës së Vitisë, edhe në ditët në vijim komuna jonë do të ballafaqohet me temperatura të larta të cilat mundësojnë përhapjen e zjarreve që mund të jenë me pasoja për jetën dhe pasurinë e qytetarëve”, thuhet në këtë apel.
Sipas Drejtorit të DSHPE-së, Nexhmedin Jakupit, në këtë kohë duke pas parasysh numrin e shtuar të popullatës dhe mjeteve motorike si rrjedhojë e sezonit të ardhjes së bashkatdhetarëve, mundësitë e intervenimit në kohë nga Njësia Profesionale e Zjarrfikës dhe Shpëtimit janë të kufizuara.
“Me këtë rast apelojmë tek qytetarët që të kenë kujdes gjatë manipulimit me zjarre dhe ti shtojnë masat për mbrojtje. Të rikujtojmë se me Ligjet e Republikës së Kosovës, është paraparë dënimi nga 6 muaj deri në 5 vjet për të gjithë personat që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm përmes zjarrit”, thotë Jakupi në apelin e DSHPE-së.